Rektori i Universitetit të Korçës: Jemi të përkushtuar për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës maqedonase dhe identitetin kulturor

Në Konferencën shkencore “80 vjet arsimi në gjuhën amtare maqedonase në Shqipëri” që u mbajt në Korçë, përshëndeti edhe Rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi.

Më poshtë sjellim fjalimin e Rektorit prof. dr. Lorenc Ekonomi:

Të nderuar kolegë, pjesëmarrës dhe të pranishëm në këtë ngjarje,

Kam nderin dhe kënaqësinë e madhe t’ju uroj mirëseardhjen në këtë ngjarje të rëndësishme shkencore, të organizuar nga Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, Shoqata Maqedonase “Sonce” dhe Rrjeti për Promovimin e Diversitetit Linguistik të Brukselit. Kjo konferencë, e titulluar “80 vjet arsimi në gjuhën amtare maqedonase në Shqipëri”, është një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi zhvillimin dhe sfidat e mësimit të gjuhës maqedonase në Shqipëri gjatë këtyre dekadave, për të ruajtur dhe promovuar diversitetin kulturor dhe gjuhësor, si dhe për të diskutuar për rëndësinë e ruajtjes së identitetit tonë kulturor në një botë gjithnjë e më të globalizuar.

Mësimi i gjuhës amtare të pakicave kombëtare, siç është gjuha maqedonase, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për forcimin e identitetit kombëtar dhe kulturor. Gjuhët amtare janë themeli i ruajtjes së traditave, historisë dhe veçorive të çdo komuniteti. Ato janë jo vetëm mjet komunikimi, por edhe një pasuri e madhe kulturore dhe shpirtërore, që lidh brezat dhe i jep individëve një ndjenjë të thellë përkatësie dhe krenarie.

Mësimi i gjuhës amtare ndihmon në forcimin e lidhjeve brenda komunitetit dhe ofron mundësi për të ruajtur një pasuri të larmishme kulturore, për të garantuar përfshirjen e barabartë dhe të drejtat e plota të grupeve të pakicave në jetën shoqërore dhe kulturore.

Në këtë kuadër, Universiteti “Fan S. Noli” është i angazhuar të japë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës maqedonase dhe identitetit kulturor të komunitetit maqedonas në Shqipëri. Kjo mund të bëhet përmes zhvillimit të programeve akademike dhe kurseve të dedikuara për mësimin e gjuhës maqedonase, jo vetëm për studentët, por edhe për anëtarët e komunitetit maqedonas dhe ata që dëshirojnë të mësojnë këtë gjuhë. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të mbështesim kërkime shkencore mbi historinë dhe zhvillimin e gjuhës maqedonase në Shqipëri, duke kontribuar në pasurimin e fushës akademike dhe promovimin e identitetit kulturor.

Përmes organizimit të aktiviteteve, seminareve dhe konferencave, Universiteti do të vazhdojë të jetë një platformë për diskutime shkencore dhe kulturore që ndihmojnë në forcimin e lidhjeve mes dy popujve tanë dhe promovimin e diversitetit gjuhësor dhe kulturor. Gjithashtu, mbështetja e botimeve dhe produkteve shkencore është një tjetër hap që ne synojmë të ndërmarrim për të ruajtur dhe pasuruar trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore të dy popujve.

Nëpërmjet këtyre aktiviteteve dhe angazhimeve, Universiteti “Fan S. Noli” është i përkushtuar të kontribuojë në ruajtjen e identitetit kulturor të maqedonasve në Shqipëri, duke siguruar që kjo trashëgimi të kalojë nga brezi në brez, dhe të mbetet një forcë e gjallë në jetën kulturore dhe shoqërore të rajonit tonë.

Në kuadër të këtyre aktivitete dëshiroj të përmend bashkëpunimin e Universitetit “Fan S. Noli” me Bashkinë Pustec në aktivitete dhe projekte të përbashkëta që synojnë evidentimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave natyrore, historike dhe kulturore të zonës ku jeton komuniteti maqedonas. Këto aktivitete kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit për pasuritë natyrore dhe kulturore të rajonit, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e turizmit kulturor, si dhe forcimin e lidhjeve mes komunitetit maqedonas dhe pjesës tjetër të shoqërisë shqiptare. Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe për avancimin e zhvillimit social dhe ekonomik të rajonit.

Ju falenderoj të gjithëve për angazhimin tuaj dhe për pjesëmarrjen në këtë ngjarje, dhe ju uroj një punë të suksesshme dhe frytdhënëse gjatë konferencës sonë.

Le të vazhdojmë të mbrojmë dhe promovojmë gjuhën dhe kulturën tonë, për t’i lënë një trashëgimi të pasur brezave të ardhshëm.

Faleminderit!

©Makedonium