Sterjovski në OKB: Maqedonasit në Shqipëri nuk duhet të bëhen dëm kolateral në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë

Kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian (AMIE), Vasil Sterjovski, mori pjesë në Gjenevë në takimin me përfaqësues të minoriteteve nga e gjithë bota, të organizuar nga Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për çështjet e minoriteteve, Nicolas Levrat.

Në takimin e zhvilluar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Sterjovski mbajti një fjalim në emër të komunitetit maqedonas në Shqipëri, duke vënë në dukje sfidat me të cilat përballet komuniteti maqedonas, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Sterjovski theksoi se maqedonasit janë një komunitet autokton në Shqipëri, qytetarë luajalë që respektojnë institucionet dhe kontribuojnë në zhvillimin e shtetit, por se sot identiteti i tyre përballet me sfida serioze.

Vëmendje të veçantë ai i kushtoi asaj që e cilësoi si rritje të presionit politik të Bullgarisë ndaj Shqipërisë, duke shfrytëzuar pozicionin e saj si anëtare e Bashkimit Evropian dhe ndikimin në procesin e zgjerimit për të avancuar agjendën e saj kombëtare në Shqipëri.

Sterjovski shprehu shqetësimin për promovimin e pretendimeve se maqedonasit në Shqipëri janë bullgarë, si dhe për përpjekjet për imponimin e identitetit bullgar përmes ndikimit politik, stimujve financiarë dhe presionit institucional.

„Është e papranueshme që aspiratat evropiane të Shqipërisë të përdoren si mjet presioni ndaj vendit për të pranuar politika që kontribuojnë në asimilimin e komunitetit maqedonas. Maqedonasit në Shqipëri nuk duhet të bëhen dëm kolateral në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”, theksoi Sterjovski.

Ai nënvizoi se të drejtat e minoriteteve nuk duhet të instrumentalizohen për qëllime gjeopolitike dhe se askujt nuk duhet t’i imponohet një identitet në kundërshtim me të drejtën e tij të lirë për vetëidentifikim.

Përveç presioneve të jashtme, Sterjovski evidentoi edhe problemet e kahershme me të cilat përballet komuniteti maqedonas në Shqipëri, ndër të cilat mbështetjen e pamjaftueshme institucionale për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës maqedonase, mundësitë e kufizuara për arsimim në gjuhën amtare, përfaqësimin e pamjaftueshëm politik dhe pjesëmarrjen e kufizuar në proceset e vendimmarrjes.

Ai vuri në dukje gjithashtu sfidat serioze socio-ekonomike, si shpopullimi, emigracioni, mundësitë e kufizuara të punësimit dhe investimet e pamjaftueshme në infrastrukturë dhe zhvillimin lokal, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen dhe mbijetesën e vendbanimeve maqedonase, si dhe në ruajtjen e identitetit gjuhësor, kulturor dhe kombëtar.

Në fjalën e tij, Sterjovski i bëri thirrje Raportuesit të Posaçëm të OKB-së, Nicolas Levrat, që t’i kushtojë vëmendje të veçantë pozitës së komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe të realizojë një vizitë zyrtare në vend, gjatë së cilës të takohet me përfaqësues të komunitetit maqedonas dhe të vizitojë zonat e banuara nga maqedonasit, për t’u njohur nga afër me gjendjen e tyre dhe sfidat me të cilat përballen.

Gjithashtu, ai kërkoi nga Raportuesi i Posaçëm të vendosë kontakte me autoritetet shqiptare dhe të theksojë detyrimin e tyre për mbrojtjen e plotë të të drejtave të pakicave kombëtare, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe detyrimet e marra në kuadër të procesit të integrimit evropian.

„Shqipëria meriton një të ardhme evropiane, ndërsa komuniteti maqedonas meriton të jetë pjesë e barabartë dhe e respektuar e kësaj të ardhmeje”, u shpreh Sterjovski në fjalën e tij para përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara.

Pjesëmarrja e kryetarit të AMIE-së në këtë takim ndërkombëtar përbën një mundësi për të vënë në vëmendje të mekanizmave përkatës të Kombeve të Bashkuara çështjen e pozitës, të drejtave dhe mbrojtjes së komunitetit maqedonas në Shqipëri.