Sot, në sallën e Këshillit të Qarkut Korçë, u zhvillua aktiviteti në kuadër të projektit “Krijimi i veshjeve tradicionale të pakicave kombëtare maqedonase, rome, arumune dhe egjiptiane në Qarkun e Korçës”, i zbatuar nga shoqata maqedonase “Sonce”, me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare dhe në partneritet me shoqatat përfaqësuese të komuniteteve rome, arumune dhe egjiptiane.

Gjatë aktivitetit u prezantuan katër kostume tradicionale, të krijuara për komunitetet maqedonase, rome, arumune dhe egjiptiane, si dhe broshura informative “Trashëgimia etnokulturore e maqedonasve, romëve, arumunëve dhe egjiptianëve në Qarkun e Korçës”, e përgatitur nga Vasil Sterjovski. Broshura i kushtohet historisë, rëndësisë kulturore dhe identitetit që përfaqësojnë veshjet tradicionale të këtyre komuniteteve.
Aktiviteti u drejtua nga Zdravko Neçofski, aktivist i komunitetit maqedonas, ndërsa të pranishmit u përshëndetën nga përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe vendore, organizatave të shoqërisë civile dhe komuniteteve të ndryshme.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Vasil Sterjovski, kryetar i shoqatës maqedonase “Sonce”, theksoi rëndësinë e bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve dhe nevojën për ruajtjen e identitetit kulturor të secilit prej tyre.
“Qarku i Korçës është një shembull i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme, të cilat ndër shekuj kanë ndarë të njëjtën hapësirë, kanë krijuar marrëdhënie shoqërore dhe kanë kontribuar në zhvillimin e kësaj treve. Kjo bashkëjetesë është një vlerë që duhet ta ruajmë dhe ta forcojmë edhe më tej”, u shpreh Sterjovski.
Ai theksoi se bashkëjetesa e vërtetë nuk nënkupton vetëm të jetojmë pranë njëri-tjetrit, por edhe të njohim e të respektojmë identitetin e njëri-tjetrit, duke garantuar që çdo komunitet të ketë mundësinë të ruajë gjuhën, kulturën dhe traditat e veta.

Sipas Sterjovskit, një shoqëri demokratike dhe evropiane është ajo ku çdo qytetar ndihet i barabartë, ku çdo komunitet mund të ruajë identitetin e tij dhe ku diversiteti kulturor vlerësohet si burim pasurie dhe zhvillimi.
Ai nënvizoi gjithashtu se ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk është vetëm përgjegjësi e shoqatave apo e individëve të angazhuar, por një detyrë e përbashkët e institucioneve, organizatave, shkollave, familjeve dhe gjithë shoqërisë.

Në aktivitet përshëndetën gjithashtu Petrika Tollkuçi, kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë; Lirika Pojani, kostumografe; Pali Kolefski, kryetar i Bashkisë Pustec; Muhamet Rapi, kryetar i shoqatës “Integrimi Rinor Komunitar”; Daniela Stoica, në emër të shoqatës “Arumunët/Vllehët e Shqipërisë”; Enxhi Kosturi, në emër të shoqatës “Disutni Albania”; Burbuqe Ngraçanj në emrin e Avokatit të Popullit dhe Hasim Keci, nënkryetar i Komitetit për Pakicat Kombëtare.
Projekti synon të kontribuojë në ruajtjen, rikrijimin dhe promovimin e trashëgimisë etnokulturore të pakicave kombëtare në Qarkun e Korçës, duke përcjellë te brezat e rinj vlerat e trashëguara nga të parët tanë dhe duke forcuar bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe respektin ndërmjet komuniteteve.

Në përfundim, u përcoll mesazhi se trashëgimia kulturore është pasuri e përbashkët dhe se respektimi i identitetit të secilit komunitet është një kusht i rëndësishëm për bashkëjetesën dhe një të ardhme të përbashkët evropiane.
Shoqata maqedonase “Sonce” shpreh mirënjohjen për Komitetin për Pakicat Kombëtare, Këshillin e Qarkut Korçë, institucionet vendore, shoqatat partnere dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga komunitet fetare, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit.
©Makedonium
