PARTIA MAQEDONASE NË SHQIPËRI KËRKON QË PUSTECI TË MBETET BASHKI MË VETE ME EMRIN PRESPË

Nën drejtimin e bashkëkryetarëve Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi një dëgjesë publike në Korçë, në kuadër të procesit të konsultimeve publike për riorganizimin administrativo-territorial të Republikës së Shqipërisë.

Kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, Vasil Sterjovski, duke marrë pjesë në dëgjesën publike për reformën administrativo-territoriale të mbajtur në Korçë, vuri në dukje se Bashkia Pustec duhet të mbetet bashki më vete!

Në dëgjesë morën pjesë kryetarë bashkish dhe deputetë të Qarkut të Korçës, përfaqësues institucionesh, ekspertë dhe qytetarë, të cilët paraqitën qëndrimet dhe propozimet e tyre për ndarjen e ardhshme administrativo-territoriale të vendit.

Në fjalën e tij, bashkëkryetari Arbjan Mazniku theksoi se reforma duhet të kontribuojë në krijimin e bashkive më të forta dhe në përgatitjen më të mirë të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga ana e tij, Luçiano Boçi vlerësoi se dëgjesat publike përfaqësojnë një mundësi që qytetarët të shprehin drejtpërdrejt problemet dhe propozimet e tyre.

Në dëgjesën publike fjalën e mori edhe kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski, i cili prezantoi qëndrimet dhe rekomandimet e partisë lidhur me reformën e ardhshme.

Sterjovski informoi se e vetmja parti maqedonase në Shqipëri ka dërguar tashmë një letër zyrtare në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, në të cilën përmbahen propozime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit maqedonas në procesin e reformës administrativo-territoriale të Shqipërisë.

Ai theksoi se kërkesa e parë dhe më e rëndësishme e partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian është që Bashkia Pustec të mbetet bashki më vete, si e vetmja bashki në Shqipëri ku mbi 90 për qind e popullsisë i përket komunitetit maqedonas.

“Shfuqizimi ose ndryshimi i statusit të Bashkisë Pustec do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Ligjin për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe detyrimet ndërkombëtare që shteti ka marrë përsipër përmes Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Me shfuqizimin e mundshëm të bashkisë, do të viheshin në pyetje të drejtat e fituara të maqedonasve, veçanërisht e drejta e përdorimit të gjuhës amtare dhe arsimimi në gjuhën maqedonase, gjë që do të përbënte një rrezik serioz të asimilimit”, — theksoi Sterjovski.

Si propozim të dytë, kryetari i AMIE-s kërkoi që Bashkia Pustec të riemërohet në Bashkia Prespë, duke vlerësuar se emri i ri përfaqëson më mirë të gjithë zonën, e cila përbëhet nga nëntë vendbanime, dhe jo vetëm fshatin Pustec.
“Emri Prespë është historikisht, gjeografikisht dhe kulturisht i njohur, si në Shqipëri ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Me riemërimin do të forcohet njohshmëria dhe do të kontribuohet në një promovim më të madh të rajonit”, — nënvizoi Sterjovski.

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian pret që propozimet e paraqitura në konsultimet publike të shqyrtohen seriozisht dhe të përfshihen në propozimin përfundimtar të reformës administrativo-territoriale, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.