Gjatë Luftës së Dytë Botërore, maqedonasit në Shqipëri iu bashkuan partizanëve shqiptarë për të luftuar nazi-fashizmin dhe për të ndihmuar në çlirimin e vendit. Përmes sakrificave të tyre, në vitin 1944 maqedonasit u njohën si pakicë kombëtare në Prespë, Gollobordë dhe Vërnik, duke fituar të drejtën për arsimim në gjuhën amtare maqedonase dhe për zhvillimin e kulturës dhe traditave të tyre.

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë e asaj kohe hapi rrugën për shkëmbimin e mësuesve, duke bërë të mundur që gjeneratat e reja maqedonase dhe shqiptare të mësonin gjuhën e tyre amtare.
Mësimi i gjuhës amtare maqedonase në Shqipëri është një nga elementët kyç për ruajtjen e identitetit kombëtar të minoritetit maqedonas. Rrugëtimi i tij prej vitit 1944 deri në ditët e sotme paraqet një histori sfidash, përpjekjesh dhe arritjesh.
Fillimi i organizuar i mësimit në gjuhën maqedonase u shënua në dhjetor të vitit 1944, kur, në bazë të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, erdhën mësues nga Maqedonia. Ata nisën punën në fshatrat e Prespës, Vërnikut në Devoll dhe disa fshatra të Gollobordës. Me mungesa të theksuara të materialeve didaktike, përfshirë libra dhe mjete mësimore, mësuesit e parë, si Boris Malevski dhe Nikolla Berovski, ndërtuan bazat e sistemit arsimor në gjuhën maqedonase.
Pavarësisht sfidave të mëdha, ardhja e mësuesve maqedonas shënoi një moment të rëndësishëm në historinë arsimore të minoritetit maqedonas. Përveç mësimit në shkolla, ata u angazhuan në jetën kulturore të komunitetit, duke përhapur emancipimin dhe zhvillimin social, përfshirë krijimin e bibliotekave të vogla në gjuhën maqedonase dhe shqipe.
Ndikimi i Rezolutës së Informbyros (1948)
Rezoluta e Informbyros në vitin 1948 solli ndërprerjen e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave dhe largimin e mësuesve maqedonas. Kjo ngjarje pati pasoja të rënda për arsimin në gjuhën amtare maqedonase, duke çuar në mbylljen e shkollave në zonën e Gollobordës. Vetëm në zonën e Prespës mbeti i përkushtuar deri në fund të jetës së tij, njëri prej tyre, Nikolla Berovski, hartuesi e përkthyesi i parë i teksteve shkollore të këtij minoriteti nga tekstet e shkolles kombëtare shqipe, që edhe si dispenca ishin të pakta në numër. Ai punoi si mësues, drejtues shkolle edhe për kualifikimin e mësuesve të parë për këto shkolla. Ishin nxënësit që mbaruan të parët klasën e shtatë të shkollës shtatvjeçare e me kurse të shkurtëra disa javore u bënë mësues.
Me mjaft përkushtim në këto vite punoi dhe mësuesi i nderuar nga ky minoritet, aktivisti i papërtuar i kulturës dhe përpërimit të minoritetit, Boris Malevski.
Në kushte të vështira kur mungonin tekstet shkollore në gjuhën amtare e mjetet e tjera didaktike punuan me zell mësuesit e parë të këtij brezi Eftim Argjiri, Boris Stojani, Llazo Risto, Trajanka Jani,Vasilika Stavre etj. Nxitje e frymëzim për të gjithë minoritarët e jo vetëm ishte shkrimtari i njohur, bir i këtij minoriteti, Sterjo Spasse. Vepra e tij pasqyroi gjerësisht jetën në të gjitha dimensionet jo vetëm të minoritetit maqedonas. Ai pasqyroi në veprën e tij voluminoze edhe historinë, traditat kulturore, aspiratat për zhvillim e përparim.
Hapa të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit u bënë me ardhjen e mësuesve të parë nga ky minoritet me arsim pedagogjik e më pas të lartë. Me kalimin e viteve u përmirësua gradualisht paisja me tekste shkollore në gjuhën maqedonase deri në klasën e katërt fillore e në gjuhën shqipe për të gjitha klasat e shtatë e më vonë tetëvjeçares.
Në vitet pesëdhjetë u hap shkolla shtatëvjecare në Pustec e më vonë në fshatin Dollna Gorica (Goricë e Vogël) e u pasua më tej me shkollën e mesme të bashkuar në Pustec. U përmirësuan kushtet e paisjet shkollore, mjetet mësimore. Krahas punës mësimore, mësuesit aktivizoheshim vazhdimisht në jetën kulturore-artistike me rininë e fshatrave.
Eshte i madh kontributi i Nikolla Berovskit për përgatitjen e mësuesve minoritarë, për përkthimin e hartimin e teksteve mësimore për katër klasat e shkollave fillore. Ai përktheu dhe hartoi mbi 80 tituj tekstesh shkollore për klasat 1-4 të shkollës fillore. Në vitet 1945-1990 punohej me tekste në gjuhën amtare maqedonase vetëm në klasat e 1-4 në lëndët Abetare, Gjuhë Maqedonase, Lexim, Matematikë, Dituri Natyre, Historia e Shqipërisë. Në të gjitha lëndët dhe tekstet zbatoheshin programet përkatëse të miratuara nga Ministria e Arsimit për minoritetin.
Kur flasim për tekstet shkollore të minoritetit maqedonas nuk mund të lëmë pa përmendur ndihmesën e çmuar të shkrimtarit Sterjo Spasse që bashkëpunoi ngushtë, ndihmoi Nikolla Berovskin dhe redaktoi pothuajse të gjithë tekstet e minoritetit. Në ndihmë të mësuesve e jo vetëm, Nikolla Berovski në bashkëpunim me Sterjo Spassen hartuan tekstet ndihmëse si gramatikë e gjuhës maqedonase, fjalorin Maqedonisht –shqip, përkthyen disa libra letrare nga gjuha shqipe në gjuhën maqedonas.
Arsimi në Periudhën e Demokracisë (1990–2024)
Pas vitit 1991, me ndryshimet demokratike në Shqipëri, u krijuan mundësi të reja për zhvillimin e arsimit në gjuhën maqedonase. Gjuha maqedonase u integrua në programet e shkollave tetëvjeçare dhe u rrit numri i teksteve shkollore dhe materialeve didaktike. Ndihma e dhënë nga Republika e Maqedonisë për shtypjen e librave shkollorë ishte e një rëndësie të veçantë.
Përveç arsimit formal, u zhvilluan iniciativa kulturore dhe mediatike, si gazetat, radiot dhe televizionet lokale në gjuhën maqedonase. Një arritje e madhe ishte hapja e lektoratit për gjuhën maqedonase në Universitetin e Tiranës dhe përfshirja e saj në programet e studimeve për pakicat kombëtare pranë Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë.
Pas vitit 1990 detyrën për kordinimin e punës për hartimin e teksteve në gjuhën maqedonase e mbajti Fote Nikolla i cili bashkëpunoi me mësuesin Cvetko Malevski.
Sfidat Bashkëkohore dhe Perspektivat
Ndryshimet demografike, migrimi i popullsisë maqedonase nga zonat rurale në qytete si Tirana, Korça, Elbasani, Durrësi, kanë krijuar sfida të reja për ruajtjen e mësimit në gjuhën amtare. Ligji për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare në Shqipëri dhe aktet nënligjore të tij ofrojnë një bazë ligjore për zgjerimin e arsimit në gjuhën maqedonase në vendbanimet urbane por edhe në zonat e Gorës dhe Gollobordës.
Në të ardhmen, kërkohet një bashkëpunim i ngushtë midis qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë për të siguruar mbështetje institucionale, logjistike dhe financiare për mësimin e gjuhës maqedonase. Për më tepër, duhen zhvilluar programe për trajnim dhe kualifikim të mësuesve, si dhe përgatitja e teksteve shkollore që pasqyrojnë standardet bashkëkohore.
Mësimi i gjuhës amtare maqedonase në Shqipëri ka një histori të pasur dhe komplekse, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar të minoritetit maqedonas. Pavarësisht sfidave, arritjet e deritanishme tregojnë për rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për të zhvilluar më tej arsimin në gjuhën amtare, duke e përshtatur atë me nevojat dhe realitetet e sotme.
Vasil Sterjovski
