Sterjovski uron Fitër Bajramin nga Myftinia e Korçës

Kryetari i partisë së vetme të maqedonasve në Shqipëri, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian (AMIE), Vasil Sterjovski, zhvilloi sot një vizitë në Myftininë e Korçës, ku uroi Myftiun Ledian Çikalleshi me rastin e festës së Fitër Bajramit.

Me këtë rast, Sterjovski shprehu urimet e tij të sinqerta për shëndet, gëzim dhe lumturi, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste si simbol i shpirtërimit dhe solidaritetit.

“Gëzuar Fitër Bajramin të gjithë besimtarëve të besimit islam. Uroj që kjo ditë e shenjtë të sjellë paqe, mirëqenie dhe harmoni në çdo familje që e feston. Le të mbizotërojë fryma e solidaritetit dhe mirëkuptimit, duke ndarë gëzimin me ata që kanë më shumë nevojë”, theksoi Sterjovski.

Ai shtoi se toleranca dhe bashkëjetesa ndërfetare janë vlera themelore që na bashkojnë dhe na pasurojnë si shoqëri, duke kontribuar në përparimin dhe stabilitetin e saj.

Vizita në Myftininë e Korçës u realizua në frymën e respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve, si një element i rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe harmonike.

©Makedonium