Takim edukues për Transformimin e Gjelbër dhe Parkun Kombëtar të Prespës

Në mjediset e Muzeut “Sterjo Spasse” në fshatin Glloboçeni, Bashkia Pustec, u zhvillua një takim edukues me nxënës dhe mësues të shkollës së bashkuar “Trajan Gjeorgjiefski dhe Mitre Kolefski” në Pustec, i organizuar nga pedagogët e Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës, Ilir Shyta dhe Vasil Sterjovski.

Gjatë këtij aktiviteti u diskutua mbi rëndësinë e Transformimit të Gjelbër dhe Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, si një nga politikat kryesore të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe përballimin e sfidave klimatike. Nxënësit dhe mësuesit patën mundësinë të njihen më nga afër me konceptet kryesore të zhvillimit të gjelbër dhe me rolin që komunitetet lokale mund të luajnë në mbrojtjen e natyrës.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe Parkut Kombëtar të Prespës, territori i të cilit përkon me territorin e Bashkisë Pustec. U theksua rëndësia e ruajtjes së biodiversitetit, mbrojtjes së ekosistemeve dhe përgjegjësisë së përbashkët të komunitetit lokal për ruajtjen dhe promovimin e kësaj pasurie natyrore të veçantë.

Pedagogët ndanë me të pranishmit edhe përvojën e tyre nga një seminar ndërkombëtar i zhvilluar në fillim të muajit shkurt 2026 në Kayseri të Turqisë, i organizuar nga Universiteti Abdullah Gül në kuadër të programit Erasmus+. Seminari kishte në fokus Transformimin e Gjelbër dhe Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe mblodhi rreth 30 pjesëmarrës nga 12 vende të Evropës.

Takimi në Muzeun “Sterjo Spasse” shërbeu si një mundësi e mirë për ndërgjegjësimin e të rinjve mbi çështjet mjedisore dhe për nxitjen e interesit të tyre për mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajonin e Prespës.

©Makedonium