Një masiv shkëmbor është shembur në afërsi të fshatit Krushev, duke shkaktuar bllokimin e plotë të rrugës nacionale Dragash–Shishtavec.

Si pasojë e shkarjeve të dheut dhe gurëve, të dy korsitë e qarkullimit janë bërë të pakalueshme, duke pamundësuar lëvizjen e automjeteve në këtë segment rrugor me rëndësi për zonën.
Menjëherë pas ngjarjes, Ndërmarrja për Mirëmbajtjen e Rrugëve të Kosovës ka dalë në vendngjarje për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar rreziqe të mundshme për jetën e qytetarëve. Autoritetet kanë vendosur sinjalistikë paralajmëruese dhe kanë ndaluar qarkullimin e mjeteve në zonën e rrezikuar.
Në kuadër të masave të sigurisë, Policia e Kosovës u ka bërë apel drejtuesve të automjeteve që të shmangin këtë aks rrugor dhe të përdorin rrugë alternative deri në normalizimin e situatës.
Rruga Dragash–Shishtavec lidh fshatrat Krusheva dhe Restelica, si dhe shërben si aks i rëndësishëm drejt pikës kufitare Krushev–Shishtavec, çka e bën ndërprerjen e qarkullimit problematike për banorët dhe udhëtarët.
Autoritetet po vijojnë punën për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit sa më parë të jetë e mundur.
