Hapet në Korçë ekspozita fotografike “Pusteci, Natyra, Trashëgimia, Jeta”

Sot, në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” në Korçë, u çel ekspozita fotografike “Pusteci, Natyra, Trashëgimia, Jeta”, një udhëtim vizual mes Prespës dhe komunitetit maqedonas të Pustecit, përmes objektivit të artistit Roland Beqiraj.

Ekspozita sjell për publikun portrete autentike, peizazhe mbresëlënëse dhe detaje të veçanta nga tradita dhe kultura, të cilat pasqyrojnë shpirtin, jetën e përditshme dhe identitetin e komunitetit maqedonas në Pustec. Përmes fotografive, vizitorët kanë mundësinë të njihen më nga afër me trashëgiminë natyrore dhe kulturore të kësaj zone të veçantë të Prespës.

Ekspozita u realizua nga Qendra KAZUS në kuadër të projektit “Minoriteti maqedonas në Pustec, trashëgimi brez pas brezi”, me mbështetjen e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.

Në aktivitet morën pjesë edhe Kryetari i Qarkut Korçë, Petrika Tollkuçi, si dhe Zëvendëskryetari i Bashkisë Pustec, Atanas Plloça, të cilët vlerësuan rëndësinë e nismave të tilla për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe identitetit të minoriteteve në Shqipëri.

©Makedonium