Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara për çështjet e minoriteteve, prof. Nikolas Levrat, duke iu drejtuar Forumit për Çështjet e Minoriteteve në selinë e OKB-së në Gjenevë, në kuadër të sesionit zyrtar të organizuar nga mandati i tij, dha një përgjigje të qartë dhe parimore ndaj fjalimit të Vasil Sterjovskit, kryetar i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), kushtuar pozitës së komunitetit maqedonas në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Raportuesi Special theksoi se ishte veçanërisht e rëndësishme të nënvizohej fakti se maqedonasit në Shqipëri, përkatësisht qytetarët që flasin gjuhën maqedonase, kanë qenë gjithmonë paqësorë dhe luajal ndaj shtetit shqiptar, duke theksuar se dyshime të tilla mbi besnikërinë e minoriteteve janë një dukuri e shpeshtë dhe e gabuar në shumë shtete.
Ai theksoi se pas kërkesave legjitime për gjuhë, kulturë dhe identitet nuk duhet të shihet një agjendë e fshehtë politike, duke nënvizuar se “kjo është një çështje e të drejtave të njeriut dhe jo një çështje e besnikërisë ndaj shtetit”.
Një theks të veçantë në fjalën e tij Raportuesi Special i kushtoi ndërhyrjes së shteteve fqinje në çështjet e minoriteteve, duke iu referuar drejtpërdrejt rastit të Bullgarisë dhe përpjekjeve për instrumentalizimin e minoriteteve në Shqipëri. Ai theksoi se në këto raste çështjet e minoriteteve e tejkalojnë kuadrin e të drejtave të njeriut dhe shndërrohen në çështje të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Raportuesi Special rikujtoi se pikërisht për shkak të fenomeneve të tilla, që në kohën e Lidhjes së Kombeve ishte vendosur një regjim i mbrojtjes ndërkombëtare të pakicave kombëtare, me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të shteteve fqinje në punët e brendshme të shteteve sovrane, nën pretekstin e “mbrojtjes” së pakicave.
Ai theksoi se keqpërdorimi i çështjeve të minoriteteve si instrument politik mund të çojë në destabilizim serioz të brendshëm të shteteve, por edhe në rrezikim të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, duke përmendur se praktika të tilla, për fat të keq, janë përdorur edhe si justifikim në konflikte bashkëkohore, me pasoja të qarta për paqen dhe stabilitetin.
Në këtë kontekst, Raportuesi Special theksoi se dimensioni i sigurisë së çështjeve të minoriteteve është një temë mbi të cilën ai po punon në mënyrë aktive dhe që do të jetë pjesë e raporteve të tij drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Këshillit të Sigurimit dhe shteteve anëtare.
Në fund të fjalës së tij, ai theksoi rolin e Këshillit të Evropës si mekanizmin institucional më të përshtatshëm për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, duke rikujtuar se Shqipëria është nënshkruese e Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe se ekzistojnë mekanizma të qartë dhe funksionalë evropianë për trajtimin e këtyre çështjeve.

Në fjalimin e tij para Forumit, Vasil Sterjovski theksoi se komuniteti maqedonas në Shqipëri është autokton, paqësor dhe konstruktiv, por përballet me sfida sistematike në fushën e arsimit, përfaqësimit politik, dukshmërisë mediatike dhe zhvillimit ekonomik.
Ai vuri theks të veçantë edhe mbi presionin politik nga Bullgaria, e cila, sipas tij, përmes pozitës së saj në Bashkimin Evropian, ushtron përpjekje për asimilimin e maqedonasve në Shqipëri, përfshirë edhe ndërhyrjen në proceset e brendshme të vendit dhe ndikimin në procese si regjistrimi i popullsisë.
“Qëllimi ynë nuk është konfrontimi, por të drejta të barabarta, dinjitet dhe mbrojtje reale e komunitetit maqedonas në përputhje me standardet ndërkombëtare”, theksoi Sterjovski.
©Makedonium
