Stoica: Kostumi arumun është një simbol i fuqishëm i identitetit

Fjala përshëdetëse e Prof. As. Dr. Daniela Stoica, në aktivitetin përmbyllës të projektit: “Krijimi i veshjeve tradicionale të pakicës kombëtare maqedonase, arumune dhe rome të Qarkut të Korçës”, të organizuar nga Shoqata maqedonase “Sonce” në bibliotekën “Kongresi i Manastirit” në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë:

Të nderuar pjesëmarrës,

Në fillim, të gjitha veshjet bëheshin në familje nga gratë në atë që ne e quajmë “industri shtëpiake”. Çdo familje që respektonte veten kishte një tezgjah në shtëpinë e tyre, të cilin disa familje e kishin edhe në kasollet ose tendat e barinjve nomadë.

Kostumi tradicional arumun, si shumë kostume popullore, ndryshon sipas rajonit dhe madje edhe sipas fshatit, duke pasqyruar historinë dhe mjedisin unik të çdo komuniteti. Megjithatë, disa elementë të përbashkët lidhin këto stile të ndryshme, duke krijuar një estetikë e jashtzakonshme. Këta kostume nuk janë thjesht veshje; ato janë një pasqyrim vizual i historisë, besimeve dhe strukturave sociale arumune.

Materialet dhe ngjyrat

Leshi është materiali kryesor, duke pasur parasysh përfshirjen historike të arumunëve në blegtori. Pambuku dhe liri përdoren gjithashtu, veçanërisht për rrobat e brendshme dhe veshjet më të lehta verore. Ngjyrat që përdoren në kostumet arumune janë shpesh të gjalla dhe simbolike. E kuqja është një ngjyrë e zakonshme, që përfaqëson jetën, energjinë dhe ndonjëherë edhe mbrojtjen. E zeza, shpesh e përdorur në qëndisje ose si ngjyrë bazë, mund të simbolizojë tokën ose vajtimin, në varësi të kontekstit. E bardha përfaqëson pastërtinë dhe përdoret shpesh për këmisha dhe bluzat. Përdorimi i fijeve të arta ose argjendi në qëndisje i shton një nuancë madhështie dhe shpesh ruhet për raste festive ose ceremoniale.

Për kostumin tradicional arumun kane shkruar midis të tjerëve Gustav Weigand (1894-1895), Tache Papahagi (1932), Th. Capidan (1942), Matilda Caragiu Marioteanu (1997), Nicolae Saramandu (2014) etj.

Në formën e saj më të vjetër, veshja e grave është pothuajse e njëjtë me atë të burrave. Përveç modelit të flokëve që ndryshon nga një rajon në tjetrin, ato veshin një këmishë, pastaj një lloj boleroje të quajtur cheptar, së fundmi një kundush, një xibune dhe një sarikë dhe në këmbë veshin çorape dhe çizme. Në kohët e sotme, shumica e arumuneve veshin fustane dhe veshje moderne europiane. Kënaqësia për stolitë vezulluese, të tilla si unaza, vathë, gjerdanë, byzylykë, amuletë dhe paftale, ndryshon nga një rajon në tjetrin. Nga të gjitha fiset arumune, gratë fërsherote i duan më shumë këto stoli. Gratë fësrshërote gjithashtu kishin zakon të bënin tatuazhe dhe bënin të gjitha llojet e shënjave në ballë dhe duar, por veçanërisht kryqe.” (Theodor Capidan, Macedoromânii: etnografie, istorie, limbă, 1942, p. 24.)

Vlen të përmenden dy elementë të kostumit fërsherot. Njëri është se kostumi i burrave është tërësisht i bardhë dhe i dyti është se gratë fërsherote mbanin një mbulesë koke, të quajtur ciceroan, një zbukurim që nuk ekzistonte midis popujve të tjerë në Ballkan.

Variantet rajonale

Edhe pse ka elementë të përbashkët, kostumi arumun shfaq ndryshime të konsiderueshme rajonale. Në disa zona të Greqisë, për shembull, kostumi i grave përfshin një fustan të zi karakteristik të zbukuruar me qëndisje të ndërlikuar dhe zbukurime argjendi. Në rajone të tjera, kostumi është më shumë ngjyra, me të kuqe, jeshile dhe të verdha të gjalla që dominojnë paletën. Në mënyrë të ngjashme, kostumi i burrave ndryshon në prerjen e pantallonave, stilin e kapelës dhe sasinë e qëndisjes në këmishë dhe jelek. Këto dallime rajonale pasqyrojnë historinë unike, mjedisin dhe ndikimet kulturore të çdo komuniteti arumun.

Rëndësia sociale dhe simbolike

Kostumi arumun nuk është thjesht një formë veshjeje; ai është një simbol i fuqishëm i identitetit, statusit social dhe trashëgimisë kulturore. Stili i kostumit, ngjyrat e përdorura dhe zbukurimet japin të gjitha informacion rreth moshës, statusit martesor dhe pozitës sociale të personit brenda komunitetit. Për shembull, disa ngjyra ose modele mund të jenë të rezervuara për gratë e martuara, ndërsa të tjera vishen vetëm nga vajzat e reja. Cilësia dhe sasia e qëndisjes mund të tregojnë pasurinë dhe statusin e familjes së personit që e vesh. Për më tepër, kostumi shërben si një kujtesë vizuale e historisë dhe traditave arumune, duke i lidhur ata që e veshin me paraardhësit e tyre dhe duke ruajtur identitetin e tyre kulturor.

Ju faleminderit!