Ekonomi: Të mbrojmë dhe promovojmë gjuhën dhe kulturën e pakicave

Fjala përshëdetëse e Rektorit të Universitetit “Fan S. Noli”, Prof. dr. Lorenc Ekonomi, në aktivitetin përmbyllës të projektit: “Krijimi i veshjeve tradicionale të pakicës kombëtare maqedonase, arumune dhe rome të Qarkut të Korçës”, të organizuar nga Shoqata maqedonase “Sonce” në bibliotekën “Kongresi i Manastirit” në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë:

I nderuar Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, Z. Petrika Tollkuci,

I nderuar Kryetar i Bashkisë Pustec, Z. Pali Kolefski,

E nderuar zëvendës ambasadore e ambasadës maqedonase në Shqipëri znj. Radmilla Stojmirovska

E nderuar Dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, znj. Jonela Spaho,

I nderuar Kryetar i Shoqatës maqedonase “Sonce”, Z. Vasil Sterjovski,

Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare, të komuniteteve të pakicave, të nderuar pjesëmarrës,

Një vit më parë, në datën 19 dhjetor 2024, u organizua në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës, nga Shoqata Maqedonase “Sonce” dhe Rrjeti për Promovimin e Diversitetit Linguistik të Brukselit konferenca me titull “80 Vjet Arsimi në Gjuhën Amtare Maqedonase në Shqipëri”.

Sot, më 6 dhjetor 2025, pothuaj një vit më pas, kam përsëri nderin dhe kënaqësinë e madhe t’ju uroj mirëseardhjen në aktivitetin përmbyllës të projektit “Krijimi i veshjeve tradicionale të pakicës kombëtare maqedonase, arumune dhe rome të Qarkut të Korçës”, realizuar nga shoqata maqedonase “Sonce”, Shoqata “Disutni Albania” dhe Shoqata “Liga e Arumunëve të Shqipërisë”, financuar nga Komiteti për Pakicat Kombetare, një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi ruajtjen dhe promovimin e diversitetit kulturor, si dhe për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kulturor në një botë gjithnjë e më të globalizuar.

Projekti synon të ruajë dhe të rikthejë traditat e veshjeve popullore për burrat dhe gratë e komunitetit maqedonas, arumun dhe rom në Qarkun e Korçës. Ai është një përgjigje ndaj nevojës për të mbështetur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të minoritetit maqedonas, arumun dhe rom në Shqipëri, veçanërisht në kohën kur përdorimi dhe njohja e veshjeve popullore janë në rrezik të zhdukjes. Ai kontribuon në ruajtjen e identitetit etnik dhe kulturor të këtyre komuniteteve, duke i ofruar rinisë dhe brezave të ardhshëm një lidhje të fortë me të kaluarën e tyre dhe një mënyrë për të shprehur krenarinë e tyre kulturore përmes artit të veshjeve tradicionale.

Mësimi i gjuhës amtare të pakicave kombëtare, traditave kulturore, në rastin tonë të veshjeve tradicionale, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për forcimin e identitetit kombëtar dhe kulturor. Ato janë themeli i ruajtjes së traditave, historisë dhe veçorive të çdo komuniteti. Ato përfaqësojnë një pasuri të madhe kulturore dhe shpirtërore, që lidh brezat dhe i jep individëve një ndjenjë të thellë përkatësie dhe krenarie.

Në këtë kuadër, Universiteti “Fan S. Noli” është i angazhuar të japë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor të komuniteteve të pakicave në Shqipëri. Kjo mund të bëhet edhe përmes zhvillimit të programeve akademike dhe kurseve për mësimin e gjuhëve të pakicave, jo vetëm për studentët, por edhe për anëtarët e komuniteteve si dhe ata që dëshirojnë të mësojnë këto gjuhë. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të mbështesim kërkime shkencore mbi historinë dhe zhvillimin e gjuhëve dhe kulturave të pakicave në Shqipëri, duke kontribuar në pasurimin e fushës akademike dhe promovimin e identitetit kulturor.

Pedagogë të universitetit tonë përfunduan me sukses në qershor 2025 projektin “Trashëgimia kulturore e pakicave etnike dhe linguistike në qarkun e Korçës” të mbeshtetur me fondet e AKKSHI, që përbënte një takim special me ngjyrat e kostumeve popullore, aromat e traditave të vjetra, tingujt e festave dhe ritmet që i japin shpirt komuniteteve të pakicave. Projekti u përpoq të zbulonte pasurinë kulturore që ruhet në këngë, valle, objekte artizanale e zakone të trashëguara brez pas brezi.

Përmes organizimit të aktiviteteve, seminareve dhe konferencave, Universiteti do të vazhdojë të jetë një platformë për diskutime shkencore dhe kulturore që ndihmojnë në forcimin e lidhjeve mes popullit tonë dhe pakicave për promovimin e diversitetit kulturor. Gjithashtu, mbështetja e botimeve dhe produkteve shkencore është një tjetër hap që ne synojmë të ndërmarrim për të ruajtur dhe pasuruar trashëgiminë kulturore të tyre.

Në këtë kuadër, vend të rëndësishëm zë hapja e programit të doktoraturës “STUDIME GJUHËSORE DHE ETNOKULTURORE NË RAJONIN E BALLKANIT” diplomë duale me Universitetin e Timishoarës në Rumani.

Nëpërmjet këtyre aktiviteteve dhe angazhimeve, Universiteti “Fan S. Noli” është i përkushtuar të kontribuojë në ruajtjen e identitetit kulturor të pakicave në Shqipëri, duke siguruar që kjo trashëgimi të kalojë nga brezi në brez dhe të mbetet një forcë e gjallë në jetën kulturore dhe shoqërore të rajonit tonë.

Por, tek të gjitha këto mundësi që universiteti jonë ofron, duhet që vetë komuniteti i pakicave të jetë aktiv dhe i gatshëm të japë kontributin e tij.

Ju falenderoj të gjithëve për angazhimin tuaj dhe për pjesëmarrjen në këtë eveniment, duke ju uruar suksese në përmbylljen e projektit dhe vazhdimësinë në të ardhmen.

Le të vazhdojmë të mbrojmë dhe promovojmë gjuhën dhe kulturën tonë dhe të pakicave, për t’i lënë një trashëgimi të pasur brezave të ardhshëm.

Faleminderit!

REKTORI I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” KORÇË
Prof. dr. LORENC EKONOMI