Sot në shkollën e mesme “Car Samoil” në Resnjë, Maqedoni, u realizua aktiviteti “Laboratori artistik ne Resnje” një nismë kjo e rëndësishme të projektit “Përtej Kufijve: Fuqizimi i të Rinjve përmes Leximit dhe Letërsisë”. Ky aktivitet bëri bashkë nxënës, mësues dhe përfaqësues të Shoqatës Aktivizmi Letrar dhe Kulturor, duke krijuar një hapësirë ndërkulturore përmes letërsisë dhe diskutimeve letrare. Në hapje, Eris Rusi dhe Vasil Sterjovski prezantuan objektivat kryesore të projektit dhe theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi për rritjen e vetëdijes së të rinjve rreth leximit dhe letërsisë si një urë që lidh kulturat dhe nxit dialogun ndërmjet popujve të rajonit.
Në vijim të axhendës, Vasil Sterjovski zhvilloi një diskutim të thelluar mbi fuqinë dhe diversitetin e zhanreve letrare, duke e fokusuar vëmendjen në rolin e poezisë dhe prozës si formate që mund të kapërcejnë kufijtë kulturorë. U theksua se poezia, si një zhanër letrar që përqendrohet në ndjenjat e thella dhe shprehjen e përmbledhur të emocioneve, ka një ndikim të drejtpërdrejtë te lexuesi dhe mund të ndërtojë ura ndërmjet kulturave me një forcë të jashtëzakonshme.
Nga ana tjetër, proza, si romanet dhe tregimet e shkurtra, përmes strukturës narrative dhe detajeve të thelluara, ndihmon lexuesit të hyjnë në botën e personazheve dhe të kuptojnë më mirë përvojat dhe sfidat e përbashkëta njerëzore. Kjo qasje lejon një perceptim të thelluar dhe mirëkuptim më të madh ndaj kulturave të tjera. Përmes këtyre zhanreve, letërsia nuk është thjesht një formë arti, por edhe një mënyrë për të ndërtuar një hapësirë të përbashkët ndërmjet lexuesve të kulturave të ndryshme, duke kapërcyer kështu ndasitë gjuhësore dhe kulturore.
Një pikë kulmore e aktivitetit ishte prezantimi i përmbledhjes poetike “Në Ballkonin e vjetër të vjeshtës” nga autorja e njohur bashkëkohore shqiptare, Gerta Bandilli. Ajo, së bashku me nxënës që lexuan vargjet në gjuhën shqipe dhe maqedonase, solli një atmosferë të ndjerë dhe intime përmes leximeve dhe interpretimit të poezive. Këto poezi, të cilat prekin tema universale të jetës dhe ndjenjave njerëzore, u vlerësuan jo vetëm për ndjeshmërinë e tyre artistike, por edhe për ndikimin që kanë në krijimin e lidhjeve ndërmjet kulturave dhe në inkurajimin e një përqasjeje më të hapur ndaj diversitetit kulturor. Gerta Bandilli ndau gjithashtu procesin e saj krijues dhe vështirësitë dhe bukuritë e shndërrimit të ndjenjave personale në vargje që mund të rezonojnë me përvojat e lexuesve nga çdo kulturë.
Në vijim, pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me autoren për rëndësinë e letërsisë dhe ndikimin që ka në jetën e tyre. Pyetjet dhe komentet e nxënësve krijuan një hapësirë reflektimi mbi leximin si një mjet për të rritur kuptimin dhe mirëkuptimin për njëri-tjetrin dhe për botën. Ata ndanë mendimet e tyre për atë që i tërheq në letërsi, duke e parë atë si një mundësi për vetëzhvillim dhe për të eksploruar identitete të reja.
Aktiviteti përfundoi nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit dhe diskutimet letrare që u zhvilluan gjatë takimit treguan qartë se letërsia ka fuqinë për të frymëzuar, për të afruar njerëzit dhe për të kapërcyer kufijtë gjeografikë dhe kulturorë.
©Makedonium