Maqedonasit nga zona e Prespës, Shqipëri, në SHBA organizuan mbrëmjen e parë prespane në Nju Xhersi

Më 25 maj 2024, komuniteti maqedonas në SHBA, me origjinë nga zona ePrespës, Shqipëri, u mblodh në Nju Xhersi ku organizoi mbrëmjen e parë prespane, përcjell gazeta Makedonium.

Veprimtaria u zhvillua me një përzgjedhje të pasur të muzikës autentike maqedonase, e cila u mundësoi të pranishmëve jo vetëm të shijojnë meloditë e famshme maqedonase, por edhe të ndajnë kujtime dhe mendime për vendlindjen e tyre.

Kjo mbërmje e maqedonasve nga Prespa vjen si pjesë e traditës më të gjatë të komunitetit maqedonas në diasporë, e cila ndjek shembullin e maqedonasve nga Prespa që jetojnë në Kanada. Prej dhjetë vjetësh, maqedonasit kanadezë nga Prespa organizojnë ngjarje të ngjashme që shërbejnë si urë lidhëse mes së shkuarës dhe së tashmes dhe i bashkojnë maqedonasit pavarësisht nga largësia e tyre gjeografike. Ata organizojnë edhe darka donatorësh ku fondet e mbledhura dhurohen për vendlindjen e tyre, siç ndodhi me fondet e mbledhura për ndërtimin e kambanores së manastirit të Shën Marenës, pranë Tuminecit.

Sipas organizatorëve, mbrëmja është një ngjarje që nxit ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë në kulturën maqedonase, dhe ata planifikojnë ta bëjnë këtë traditë një ngjarje vjetore.

Një numër i konsiderueshëm maqedonasish nga zona e Prespës u shpërngulën në SHBA pas vitit 1991, shumë prej tyre përmes lotarisë amerikane dhe kjo mbrëmje shërben si kulmi i përpjekjeve të tyre për të mbajtur gjallë zakonet dhe kulturën maqedonase larg vendlindjes.

©Makedonium