Kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, AMIE, Vasil Sterjovski, mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët në Tiranë, të organizuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me partitë politike për Reformën Zgjedhore.
Si kryetar i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian dhe në emër të komunitetit maqedonas, ai ndau mendimet rreth Reformës Zgjedhore duke vlerësuar se është esenciale që kjo reformë të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, duke trajtuar çështje kyçe si votimi dhe numërimi elektronik, një administratë zgjedhore e depolitizuar, dhe mundësia e votimit për qytetarët jashtë vendit.
“Një pikë thelbësore në këtë reformë është përfaqësimi i minoriteteve në Parlament. Ne duhet të sigurojmë që zëri i të gjithë qytetarëve, veçanërisht i atyre nga grupet minoritare, të dëgjohet në mënyrë të drejtë dhe efikase. Kjo do të thotë që ti garantohet minoriteteve një numër i caktuar mandatesh në parlament. Ky hap jo vetëm që do të pasurojë debatet parlamentare, por do të ndihmojë në sigurimin që vendimet e marra të pasqyrojnë nevojat dhe aspiratat e të gjithë segmenteve të shoqërisë”, tha Sterjovski.
Gjithashtu, shtoi, se ndërtimi i një Shqipërie të fortë euro-atlantike dhe gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike, ndihet i përfaqësuar dhe i vlerësuar, është esencial.
“Aktualisht, sistemi zgjedhor proporcional rajonal nuk mjafton për të adresuar nevojat e një shoqërie të larmishme si tonën dhe nuk garanton përfaqësim të drejtë për minoritetet, të cilat janë të shpërndara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, jo vetëm në zona të veçanta. Është koha që të marrim shembull nga vendet europiane si Kroacia, Sllovenia, Rumania, Hungaria, Gjermania, Polonia, Belgjika, Kosova, Federata Ruse, vendet skandinave etj që kanë zbatuar me sukses sisteme të tilla të përfaqësimit dhe të bëjmë ndryshime pozitive në të”, theksoi ai.
Sipas tij, edhe në Opinionin e Pestë për Shqipërinë i Komitetit Këshillimor për Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Europës në vitin 2023 kërkohet nga Shqipëria të ndërmarrë masa pozitive për të siguruar përfaqësimin e minoriteteve në Parlament.
Bëhet fjalë, tha si, për krijimin e një vizioni të një Shqipërie ku çdo zë ka rëndësi dhe ku respekti për diversitetin është forca jonë.
Në takim morën pjesë përfaqësues të minoriteteve të tjera, partive politike, si dhe ish-presidenti Bamir Topi.
©Makedonium