AMIE: Deklaroni lirisht dhe me krenari kombësinë tuaj maqedonase

Para fillimit të nesërm të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, partia e vetme maqedonase, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, AMIE, u bëri thirrje maqedonasve që të mbështesin këtë operacion të rëndësishëm statistikor dhe të deklarojnë lirisht përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore.

Të dashur maqedonas.

Nesër, datë 18 shtator 2023, në të gjithë Shqipërinë do të nisë Censusi/Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave.

Ky është një proçes tepër i rëndësishëm për komunitetin maqedonas në Shqipëri, pasi në të do të deklarohet edhe përkatësia etnike e çdo individi.

Megjithëse kjo pjesë është lënë “deklarim me dëshirë”, partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian ju bën thirrje dashamirëse të gjithë maqedonasve, të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike duke iu përgjigjur pyetjes, “me çfarë identiteti etnik identifikoheni”, të shënoni: “Maqedonas/e”.

Deklarojeni lirisht me krenari kombësinë tuaj maqedonase, dhe sigurohuni që regjistruesi ta hedhë saktë në tabelën elektronike, ashtu siç ju e deklaroni.

Kontrolloni dhe sigurohuni që përgjigjja e pyetjes në lidhje me përkatësinë etnike, që e plotëson anketuesi, të jetë hedhur saktë në tabletin (aparatin elektronik) me të cilin regjistron, sipas asaj që ju keni deklaruar.

Duke u regjistruar si maqedonas, ju kontribuoni në dukshmërinë dhe njohjen e komunitetit tonë në Shqipëri. Forca e identitetit tonë qëndron në unitetin tonë dhe vullnetin tonë për t’u ngritur dhe të jemi të shumtë. Ky është një hap thelbësor drejt sigurimit të të drejtave tona dhe ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore.

Sa më shumë anëtarë të komunitetit tonë të identifikohen me krenari si maqedonas në Census, aq më shumë të drejta dhe mbrojtje mund të kemi në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

Në bazë të Ligjit Nr. 96/2017 “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të drejtat e minoriteteve si e drejta e arsimimit në gjuhën amtare, përdorimi i gjuhës amtare në institucionet lokale, përdorimi i gjuhës amtare në sinjalistikën rrugore, përfaqësimi në institucionet publike etj, janë të lidhura me numrin e tyre, prandaj është shumë e rëndësishme të deklaroni përkatësin tuaj maqedonase me qëllim që ti gëzoni të drejtat që ju takojnë sipas Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, Konventës Kuadër të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ratifikuar me ligjin nr. 8496, datë 3.6.1999, dhe marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut ku Republika e Shqipërisë është palë.

Duam të theksojmë se deklarimi i identitetit tuaj maqedonas në Census nuk është vetëm e drejtë ligjore, por shprehje e fuqishme e trashëgimisë suaj kulturore. Dërgon një mesazh të qartë për shoqërinë në përgjithësi se komuniteti maqedonas në Shqipëri është i gjallë, krenar dhe meriton respektin dhe njohjen që vjen me të.

Ne e kuptojmë se disa ende kanë shqetësime nga presionet e ndryshme që mund të vijnë, por ju sigurojmë se pjesëmarrja juaj në Census është konfidenciale dhe të dhënat tuaja do të mbrohen me ligj. Informacioni që jepni do të jetë konfidenicial dhe do të përdoret vetëm për qëllime statistikore dhe mbrojtjen e të drejtave të komunitetit maqedonas.

Ftojmë çdo pjesëtar të komunitetit maqedonas në Shqipëri të pranojë këtë mundësi për t’u deklaruar si maqedonas në Census. Gjuha juaj amtare është gjuha maqedonase, pavarësisht nga besimi ortodoks, katolik, mysliman apo tjetër. Kontributi juaj jo vetëm do të forcojë komunitetin tonë, por edhe do të përmirësojë statusin dhe ndikimin tonë në shoqërinë shqiptare. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë maqedonasit në Shqipëri.

©Makedonium