Ambasadori maqedonas në Shqipëri, SH.T.Z, Prof.Dr. Danço Markovski, zhvilloi ditën e sotme një takim zyrtar me Dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, përcjell gazeta Makedonium.
Objekt i diskutimeve në këtë takim ishte thellimi i bashkëpunimit mes institucioneve akademike respektive të të dy vendeve.
SH.T.Z, Prof.Dr. Dancho Markovski që vjen nga bota akademike, u ndal tek progresi i marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes dy vendeve, shtimi i numrit të vizitorëve në dy vendet respektive, nevoja dhe vullneti për të bashkëpunuar më shumë në fushën e arsimit të lartë. Lidhur me këtë të fundit, krahas veçorive që paraqet respektimi i të drejtave të pakicës maqedonase në Shqipëri në arsimin parauniversitar në drejtim të të mësuarit në gjuhën maqedonase, në sferën e arsimit të lartë mes dy vendeve, SH.T.Z, Prof.Dr. Dancho Markovski e cilësoi si një arritje marrëveshjen e lidhur së fundmi në lidhje me njohjen reciproke të diplomave mes dy vendeve fqinje.
Nga ana e saj, Dekania FGJH-së, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha e vuri theksin tek rëndësia e mësimdhënies së gjuhëve të huaja dhe veçanërisht atyre rajonale si një domosdoshmëri për përfshirjen në kurrikulat e programeve mësimore çka do t’i jepte një shtysë konsolidimit të një hapësire të përbashkët vlerash dhe parimesh në Ballkanin perëndimor dhe ndërkombëtarizimit. Prof. Dr. Esmeralda Kromidha u shpreh gjithashtu se edhe disa projekte kërkimore që janë duke u zhvilluar në FGJH kanë objekt të tyrin studimor pikërisht peizazhin gjuhësor në vend dhe nevojën për hartimin e një politike gjuhësore funksionale për UT-në, e më gjerë. Ofrimi i moduleve ekstrakurrikulare në gjuhë të huaj për studentët e programeve ekzistuese dhe njohja më pas e tyre krahas elementeve të programit të studimit në planet mësimore ekzistuese do të jetë një nga mënyrat për fillimin e zbatimit të kësaj politike gjuhësore.
Të pranishmit zhvilluan diskutime konkrete për vijimin e bashkëpunimit në çështje që lidhen me:
– riaktivizimin e gjuhës maqedonase në kurrikulat ekzistuese të FGJH-së, si gjuhë e tretë e studiuar edhe si lëndë ekstrakurrikulare;
– lidhjen e marrëveshjeve të tjera kuadër me universitetet partnere në Republikën Maqedonisë;
– organizimin e një Shkolle verore për studentët me fokus gjuhën dhe kulturën maqedonase;
– vendosjen e bashkëpunimit me Qendrën kulturore maqedonase në Shqipëri;
Ambasadori maqedonas në Shqipëri, SH.T.Z, Prof.Dr. Dancho Markovski, do të mbajë së shpejti një leksion të hapur për studentë dhe kolegë të FGJH-së në lidhje me marrëdhëniet shqipëtaro-maqedonase dhe dinamikat për të ardhmen.
©Makedonium