Në fshatin Glloboçeni të Bashkisë Pustec, u hap muzeu i Sterjo Spasses, shkrimtarit të njohur shqiptar me origjinë maqedonase, i lindur në këtë fshat të Prespës. Në muze janë vendosur dorëshkrime origjinale të shkrimtarit, por dhe objekte tradicionale të zonës së Prespës.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ambasadori i Maqedonisë në Tiranë, Danço Markovski, djali dhe vajza e Sterjos, Ilinden dhe Marjana Spasse, Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirolari, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë, Ana Verushi, kryebashkiaku i Pustecit Pali Kolefski, kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, Vasil Sterjovski, drejtori i shkollës së mesme në Pustec, Trajan Vangjelovski, përfaqësuesja e komunitetit maqedonas pranë Komitetit për Pakicat Kombëtare, Marjana Kostofski, banorë të zonës si dhe mysafirë nga Republika e Maqedonisë.
Muzeu i Sterjo Spasses është pjesë e projektit Smart_Cul_Tour, të bashkëfinancuara nga BE-ja në kuadër të thirrjes së dytë të programit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë, 2014-2020.
Projekti u zbatua nga pesë partnerë nga dy vendet fqinje, përkatësisht Bashkia e Bitolës – partner kryesor, si dhe Bashkia Pustec, Muzeu i Bitolës, Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, dhe Qendra Kulturore Rinore – Bitola, partnerë.
Sterjo Spasse lindi në Glloboçeni, 16 shtator të vitit 1914 dhe u nda nga jeta në Tiranë në vitin 1989. Ai është shkrimtar i njohur me origjinë maqedonase dhe është një nga themeluesit dhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ai njihet edhe si antolog, përkthyes, hartues tekstesh shkollore dhe mbledhës i folklorit maqedonas në Prespë të Madhe.Veprimtaria letrare e shkrimtarit Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane, etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën shkrimtari Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kurorë rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983). Redaksia e botimeve “Rilindja” i botoi në vitin 1968 një komplet veprash në tetë vëllime, ndërsa herë pas here ka botuar vepra të ndryshme. Më 1980-1985 iu botuan po ashtu në Tiranë botimi integral “Vepra”, me nëntë vëllime. Në vitin 1980 iu përkthye në anglisht romani “Zgjimi”.
© Makedonium