TONI, kjo metaforë e realitetit tonë ndërballkanas

Kur pata rastin (a fatin) të më propozohej, e të pranoja rrjedhimisht, ta sillja të shqipëruar në gjuhën tonë shqipe, “Tonin” e Rumena Buzharovskës, disa ndjesi ma mësynë mendjen njëherësh.

Së pari, Rumenën, e njihja tashmë nga disa burime, pa ia lexuar asaj akoma veprën, përkundër faktit që fama e saj (e justifikuar plotësisht) e kish paraprirë leximin tim të mirëfilltë të letërsisë së saj.

Mirëpo, siç thotë rëndom populli ynë (urtësia e të cilit, rrallë gabon, jo vetëm në këto raste), “nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë”, prandaj mbetej pjesa më thelbësore ende për t’u kryer.
Leximi, fillimisht, e më tej shqipërimi i kësaj vepre.

Në Ballkan, pothuajse të gjithë pa përjashtim, kemi një veti (ndër të shumtat) të përbashkët, e cila ka të bëjë pareshtur me nënçmimin, nënvlerësimin (po ashtu edhe përçmimin, jemi që jemi), mënjanimin apo anashkalimin e shpërfilljen (më falni për sinonimet e shumta, po fatmirësisht, janë devijime profesionale të përkthyesit letrar, që dëshmojnë sakaq edhe pasurinë e paçmuar të fjalorit të “shqipes së flamosur”, siç thoshte dikush në Karnevalet e Korçës të Spiro Çomorës)… e fqinjëve, e veçanërisht të letërsisë së tyre, në kontekstin tonë të ngushtë, në këtë rast.

Ndërkohë, përveç disa rasteve të paktë, ku letërsia jonë ndërfqinjësore, ndërballkanase, “qarkullon” në grupe të mbyllura, të nxitura kryesisht nga nisma mbështetëse europiane (nënkupto, të BE-së, se gjithsesi, deri në provë të kundërt, Europë, me “E” të madhe, çoç jemi vetë, përpara shumë të tjerëve, të paktën qyshkur fjala “Europë”, ose “Εὐρώπη” u ngjiz diku në epoka mitologjike helenistike të lashta), tjetërherë, botime fqinjësore, numërohen me gishtat e dorës.

E kjo vlen sidomos, për rastin e Shqipërisë e Maqedonisë, që është edhe rasti ynë (fatlum) pikërisht.
Në Maqedoninë e sotme, në dijenitë e mia jo të pakta në këtë fushë, me përjashtim të Kadaresë (i përkthyer prej kohësh dhe i vlerësuar gjerësisht edhe nga lexuesi maqedonas) e ndonjë rasti vetmitar më “ndërkombëtar progresivisht” aktual, pak ose aspak autorë shqiptarë (jo vendas, nga shqiptarët autoktonë të Maqedonisë), njihen.
E njëherësh në Shqipëri, në mos flitet për Sterjo Spasse-n tonë të shtrenjtë, këtë urë lidhëse të përhershme mes letërsive shqiptare e maqedonase, njeriut që në zemër maqedonase, lëvroi e krijoi veç në shqip, duke u shndërruar, sidomos në Kosovë, në një mit të paharruar, me Afërditën e tij, vështirë të ketë ndonjë autor maqedonas vërtet të njohur për lexuesin shqiptar.

Këto janë, pra, lidhjet letrare ndërmjet Shqipërisë e Maqedonisë në ditët tona.

Për këtë arsye (e jo vetëm), emri e romanet e Rumena Buzharovskës, më ngjallën drejtpërdrejt e pashmangshëm menjëherë kërshërinë e duhur për ta shikuar këtë përkthim, përveçse si një shqipërim të nevojshëm e tejet të përligjur, për shkak të vlerave e përmbajtjes së lëvduar e lexuar gjerësisht, në vendet e ish Jugosllavisë, Ballkan e në Europën Perëndimore gjithaq, edhe si një urë të re të mundshme të mëtejshme, midis dy letërsive, dy botëve letrare, dy gjuhëve e dy kulturave tona, asaj shqiptare e maqedonase.

Fati ka dashur që maqedonishten ta njoh, ta trashëgoj e ta kem ndër gjuhët e mia më të dashura (në garë të hapur me portugalishten e frëngjishten, sigurisht pas spanjishtes sime të zemrës), një gjuhë që më lidh me fëmijërinë, adoleshencën, rininë e hershme, miq, dashuri e kujtime të pashlyeshme.

E gjuha nëpërmjet së cilës Rumena Buzharovska e ka shtjelluar rrëfimin e saj në këtë roman, është një maqedonishte fort e “begatë” fatmirësisht (le të përdorim, për nder të saj, njërën nga “huazimet” sllave në shqip, “Богато” në origjinal).

Një gjuhë goditëse, therëse, provokuese, sigurisht, e jetësuar përmes përdorimit të qëllimshëm të së folmes shkupiane, me synimin e qartë të përçimit sa më tronditës e burimor, të karakterit prapanik, burracak, mburravec, shfarosës, egoist e përçartës të personazhit kryesor të romanit të saj. Pikërisht, Tonit, siç mund të vërehet qysh në titull.

E folmja e Shkupit, si pasojë e afërsisë gjeografike më Serbinë dhe vendndodhjes së kryeqytetit të Maqedonisë në pikëtakimin midis të folurave maqedonase e jugut të dialekteve serbe (“torlake” përgjithësisht), përbën një “melting pot” dialektor, ku maqedonishtja serbizohet masivisht, në fjalor e të shprehur, duke nxënë gjithashtu edhe plot turqizma orientalizuese. Kështu, ky dialekt kryeqytetas, rëndom tingëllon edhe më i afërt, kur përdoret nga krijesa të ngeshme (lexo “përtace mendërisht e fiziologjikisht”, në kuptimin plotë jetësor), mendjeliga, të cekëta e krejtësisht jashtë realitetit të përditshëm, si Toni ynë (i Rumenës, doemos).

Sepse Toni është një “Скопјанец, но од (строг) Центар”, pra, një shkupian, nga Qendra e qytetit (në kuptimin e lagjes e bashkisë shkupiane Centar, lagjes qendrore të qytetit, ku banon, të paktën që në kohë të lumtura, plot mirëqenie e zhvillim jugosllav e titist, paria e Shkupit dhe krejt Maqedonisë)…

Si rrjedhojë, kushdo tjetër qoftë, edhe dikush që banon për fatin e tij, apo saj, të keq, në Karposh, Kisella Voda, Aerodrom, etj, të cilat janë lagje urbane të bekuara nga natyra, gjelbërimi, ndërtimet komode, parqet ndanë Vardarit a rrëzë malit Vodno, është thjesht njëfarë katundari a leshkoje i/e rëndomtë.

Kjo do të thotë që Toni, është, me njëfarë të drejte hyjnore, i epërm ndaj gjithkujt, vetëm falë faktit që ka lindur në Centar (gjeografikisht), është i biri i një profesori, punon në TV, ka pasur një mori dashnoresh (e kolopuçësh, që i braktis rrugëve, më keq se bushtra këlyshët), e ka një nënë (të ngratë) e cila ia fal edhe jetën, përkundër bindjes së saj, se ky palo bir, kurrë nuk do të bëhet “burrë”.

Është, pra, himnizimi rrëgjues, e vetëdijësues, i një specieje të veçantë “homo balcanicus”, që vegjeton mbi dafinat e pozitave të trashëguara (pa asnjë meritë) shoqërore, duke marrë në qafë, keqtrajtuar psikologjikisht, rrezikuar pandërgjegjshëm, vrarë tërthorazi, gra, e fëmijë, të cilët bien theror të papjekurisë së tij të pashërueshme jetësore (prapëseprapë, nuk do të dënohej as ligjërisht, duke shpëtuar për një qime, falë paaftësisë për të kuptuar e vepruar mendërisht).

E Toni në fjalë, fare mirë mund të kish rastisur të ishte edhe një “Çun Tirone” i yni shqiptar, ose një “Αθηναίος αγόρι” grek, apo edhe një “İstanbul çocuğu” në Turqi…

Për këtë arsye, por edhe një pafundësi të tjerash, “Toni”, e autorja e tij, Rumena Buzharovska, janë kaq të nevojshëm për t’u lexuar (e kuptuar sidomos) nga ne (siç po lexohen, kuptohet e vlerësohen, për shembull, në mënyrë të pashembullt në Spanjë aktualisht, siç pata vetë kënaqësinë të shoh, gjatë këtyre muajve).

Elvi Sidheri

https://kandrraletrare.wordpress.com/2026/10/12/toni-kjo-metafore-e-realitetit-tone-nderballkanas/?fbclid=IwY2xjawVe75JleHRuA2FlbQIxMQBwZG9mBXNydGMGYXBwX2lkEDIyMjAzOTE3ODgyMDA4OTIAAR-ewTlpI6ZQvCpx7T1dErh_oKGmv_ZDjag34bJ1ZN-i2OOeJe5CuCbj_pvAhA_aem_s3eNbTb-Ra9z44tienq7LA