Laboratori artistik Korçë: Eksplorimi i zhanreve letrare/diskutim për librin

Sot, në ambientet e Muzeut të Arsimit “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” në Korçë, u zhvillua një aktivitet “Laboratori artistik Korçë” në kuadër të projektit “Beyond Boundaries: Empowering Youth through Reading and Literature”, një nismë që synon të fuqizojë të rinjtë përmes letërsisë dhe të nxisë ndërveprimin kulturor ndërmjet komuniteteve.

Gjatë hapjes së aktivitetit, Eris Rusi dhe Vasil Sterjovski prezantuan pikat kryesore te takimit, duke theksuar se letërsia nuk është thjesht një aktivitet argëtues ose arsimor, por një mjet që ndihmon në zhvillimin e marrëdhënieve më të ndërlidhura dhe më të kuptueshme midis njerëzve të kulturave të ndryshme. Në vazhdim, Sterjovski e shtriu diskutimin në rolin transformues të letërsisë, duke nënvizuar se ide të fuqishme letrare kanë ndihmuar gjithmonë në krijimin e ndjeshmërisë dhe mirëkuptimit në shoqëri, si dhe në ndërtimin e lidhjeve të forta ndërmjet individëve.

Një pjesë kyçe e aktivitetit ishte diskutimi mbi fuqinë e zhanreve letrare, ku u shpjegua roli që luajnë poezia dhe proza në përvojën e lexuesve. Eris Rusi drejtoi një bisedë mbi prozën e gjatë, me theks të veçantë te romani, si një zhanër që u ofron lexuesve një përvojë të thellë ndjesore dhe një mundësi për të hyrë në botën e personazheve, për të përjetuar përvojat dhe ndjenjat e tyre. Ndryshe nga poezia, e cila shpreh ndjenja të përmbledhura dhe të drejtpërdrejta, proza e gjatë dhe romani i japin lexuesit kohë të zbulojë dhe të përjetojë realitetin e brendshëm të personazheve dhe t’i kuptojë më mirë përvojat e tyre. Kjo mënyrë narrative ofron një perceptim të thelluar dhe ndërton ura mirëkuptimi midis lexuesve nga kultura të ndryshme, duke shërbyer si një instrument ndërlidhës mes shoqërive.

Pjesa qendrore e aktivitetit u fokusua mbi promovimin e romanit “Lulja e Ferrës” nga shkrimtarja Floresha Zyberi, një vepër që sjell në vëmendje realitetet e ashpra të jetës shqiptare përmes historisë prekëse të Lules, protagonistja që përballet me sfida të shumta dhe padrejtësi të mëdha që nga fëmijëria e saj. Prezantuesit, Eris Rusi, Vasil Sterjovski dhe Gerta Bandilli, shpjeguan sesi romani arrin të pasqyrojë jo vetëm një histori personale, por edhe një reflektim të thellë mbi sfidat sociale dhe nevojën për përmirësim të përhershëm të shoqërisë. Romani i Zyberit rrëfen jetën e një vajze që, ndonëse kalon përmes humbjeve të mëdha dhe sfidave të vazhdueshme, nuk dorëzohet kurrë, por përpiqet të lulëzojë mes pengesave të shumta. Ky rrëfim i sinqertë dhe i ndjerë ngjalli te pjesëmarrësit një reflektim mbi fuqinë e letërsisë për të ndriçuar realitetet shoqërore dhe për të ndihmuar lexuesit të përballen me të metat e jetës.

Pas prezantimit të romanit, të pranishmit u angazhuan në një sesion të hapur pyetjesh dhe diskutimesh mbi librin dhe rëndësinë e letërsisë në jetën e tyre. Diskutimi nxori në pah sesi romane si “Lulja e Ferrës” i ndihmojnë të rinjtë të reflektojnë mbi përvojat e tyre dhe të zhvillojnë një ndjenjë më të fortë empatie dhe kuptimi për ata që ndodhen në sfida të ngjashme. Pjesëmarrësit ndanë mendimet dhe përvojat e tyre mbi atë që i tërheq në letërsi, duke e parë atë si një mundësi për vetëzhvillim dhe një pasqyrë për të njohur botën dhe për t’u frymëzuar për ndryshim.
në ambientet e Bibliotekës “Thimi Mitko”, u zhvillua aktiviteti “Laboratori Artistik: Kuptimi i Teknikave Narrativo-Letrare” në kuadër të projektit “Beyond Boundaries: Empowering Youth through Reading and Literature”.

Aktiviteti, që përqendrohej në romanin “Dhe pastaj ajo u bë pemë” të autorit Loer Kume, filloi me fjalët përshëndetëse nga drejtuesit e Shoqatës Aktivizmi Letrar dhe Kulturor, të cilët nënvizuan objektivat e projektit dhe rëndësinë e angazhimit të të rinjve në diskutime letrare si një mënyrë për të zgjeruar botëkuptimin kulturor. Jordia Tollkuci, drejtoreshë e Bibliotekës “Thimi Mitko”, theksoi se të rinjtë, përmes leximit dhe diskutimeve mbi letërsinë, mund të zhvillojnë një sens më të fortë të solidaritetit dhe të mirëkuptimit ndërmjet kulturave, duke e parë letërsinë jo vetëm si një mjet arsimimi, por edhe si një urë që i afron më shumë njerëzit.

Pas fjalëve hyrëse, autori Loer Kume ndau me pjesëmarrësit rrugëtimin e tij krijues për romanin “Dhe pastaj ajo u bë pemë”. Rrëfimi i Kumes, që eksploron ndërlikimet e ekzistencës dhe marrëdhënieve njerëzore, e prezanton protagonisten Marta nëpërmjet një narrative ciklike që fillon me fundin e saj, duke krijuar një atmosferë reflektimi dhe introspektive. Autori foli mbi simbolikën e rrënjëve dhe aktin e “krasitjes”, ku Marta heq të tepërtat në kërkim të thelbit të ekzistencës së saj, një proces që e çon atë drejt një kuptimi më të thellë të dashurisë dhe sakrificës. Pjesëmarrësit u përfshinë aktivisht duke lexuar pjesë të përzgjedhura nga romani, të cilat u sollën nga studentë dhe të rinj, dhe që përforcuan ndjesinë e fuqishme të ngarkesës emocionale dhe simbolike të tekstit.

Gjatë diskutimeve të hapura mbi librat dhe përvojat letrare, pjesëmarrësit ndanë mendime mbi ndikimin që teknikat narrative dhe tematika e romanit kanë në formësimin e jetës së përditshme. Të rinjtë shprehën vlerësimin e tyre për librin dhe për letërsinë si një rrugë që u mundëson të kuptojnë më mirë botën përreth tyre, duke e përjetuar atë përmes perspektivave të ndryshme. Aktiviteti përmbylli me fjalët e zonjës Tollkuci, e cila inkurajoi të rinjtë të vazhdojnë leximin dhe të shohin letërsinë si një burim të pashtershëm të reflektimit dhe përmirësimit personal, për të kontribuar kështu në krijimin e një shoqërie më të ndjeshme dhe të vetëdijshme.

©Makedonium