Gerta Bandilli, një zë i ndjeshëm poetik, përfaqësuese e denjë e poezisë shqipe bashkëkohore, ka lindur dhe ushtron veprimtarinë e saj në qytetin e Korçës. Me një talent të rrallë për të përkthyer ndjenjat në vargje, Gerta ka arritur të krijojë një botë poetike të pasur dhe intime që prek shpirtin e lexuesit. Ajo ka kryer studimet e larta në Universitetin “Fan S. Noli”, dhe ushtron profesionin e mësueses, duke ruajtur gjithnjë një lidhje të veçantë me fjalën e shkruar dhe edukimin e brezave të rinj.
Prej katër vitesh, ajo mban postin e nënkryetares së Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re”, duke kontribuar në mbështetjen dhe promovimin e zërave të rinj letrarë. Krijimtaria letrare e Gerta Bandillit është një ndërthurje e thellësisë poetike dhe ndjeshmërisë bashkëkohore, duke krijuar një lidhje të fortë me lexuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pjesa më e madhe e veprave të saj janë përfshirë në antologji të rëndësishme dhe kanë marrë vlerësime të larta për veçantinë e tyre, siç tregon edhe vlerësimi me Çmimin e Dytë në konkursin jubilar të Takimeve Poetike të Karadakut. Si nënkryetare e Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re” në Korçë, ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e talenteve të reja dhe në zhvillimin e letërsisë vendore, duke qenë një figurë e rëndësishme në botimet dhe promovimet e autorëve të Qarkut Korçë.
Poezia e saj eksploron tema si liria, rebelimi, dashuria dhe kujtimet e fëmijërisë, duke shfrytëzuar një gjuhë të ndjerë dhe të ndjeshme, ku përfshihen të gjitha shqisat dhe përjetimet intime të autores. Poezia e Gerta Bandillit është një poezi e gjallë, që reflekton emocionet më të thella të jetës dhe kërkimin për kuptimin e ekzistencës njerëzore.
Me disa libra të botuar dhe një prani të spikatur në antologji të shumta, Gerta Bandilli vijon të frymëzojë përmes një gjuhe poetike që tejkalon kufijtë e përvojës së zakonshme, duke eksploruar thellësitë e shpirtit njerëzor dhe universin e brendshëm të individit.
Flutura
Ekzistenca e kësaj fluture të bardhë
Më tregon lirinë time, por
Lulja ku kishte qëndruar ajo
Ishte tepër e turpshme
Që t’i shtrinte petalet
Mbi trishtime të hidhura
Që sillte heshtja e natës.
Ekzistenca e kësaj fluture të bardhë
Më tregon se heshtja nuk të mbron,
Kur zemra frikësohet
Nga kaltërsi buzëqeshjesh
Që shkasin mbi fytyrën time.
Në fund mpleksen të gjitha
Heshtja, trishtimi, lulet,
Gjethet, përdëllimi dhe krahët.
Po,po, krahët derisa mbi to
Loja e erës rrëzon shiun!
Shegët
Në kopsht kuqëlojnë shegët
E gjethet luhaten mbi shpinën e trungut
Të shtrembër jetëdhënës.
E palëvizshme koha që shtrihet mbi murin
Ku mbështeten kokrrat e dita
Rrjedh përtej të panjohurës
Me shpresën në ribërjen e dritës
Gërmoj thellë natyrës blerimin
Dhe kandrat lypin lëngun e frutave.
Lakmoj shenjtërinë e peizazhit
Që dridhet jashtë meje
Kurorat e pemëve shkundin
Mendimet e lashta.
Jo e diel
Shëtitim kët ditë!
Nuk është e diel, por ne shëtitim
Posht’ e lart qytetit
Me cipëne bardhë të pafajësisë
Veshur
Të fajshëm në ecjen tonë rituale.
Thëllimi therës e trazon fytyrën
E shpirtin e skuq.
Shëtitim këtë ditë!
Zëra të zhurmshëm
Të mbetur mbi rrugë pyesin:
– Kush kalon?
– Nga vijnë?
– Ku shkojnë?
– U puthën?
Gazeta të lajmeve të grisura
Mbi trotuare të vjetër
Mbështjellin copëza jete.
Shëtitim këtë ditë!
Pushojnë në paqe kambanat memece.
Shije të gabuara
Shijet e mia gjithnjë kanë gabuar
Kur më duhet të zgjedh.
Gjithmonë kanë patur pak ndikim
Inati
Dashurie
Xhelozie
Zhgënjimi
Vdekjeje
Gjithnjë kam kërkuar mundësi të dytë
Për të djegur të parë
Për të ringjallur nga hiri
Frikën
Prekjet
Trishtimin
Harlisjen
Gëzimin
Për të gabuar përsëri,
Kur më duhet të zgjedh
Sipas shijeve të mia.
©Makedonium