Në Maqedoni u miratua Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase, i cili do të zëvendësojë ligjin e mëparshëm 25-vjeçar.

Deputetët në Kuvendin e Maqedonisë miratuan Ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase, i cili do të zëvendësojë ligjin e mëparshëm të vitit 1998.

Ligji u plotësua me amendamente të pranuara nga Komisioni për kulturë i Kuvendit dhe në tërësi me votat e 96 deputetëve të pranishëm në seancën e 139-të, të cilën e drejtoi kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit Jovan Mitreski, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Ligji parashikon lektorimin e detyrueshëm të të gjitha materialeve, me publikimin e emrit të lektorit, punësimin e detyrueshëm të lektorëve në të gjitha institucionet publike dhe organet qeveritare, në institucionet shtetërore, shkolla, shtëpi botuese, media, gjë që pritet të rrisë interesin për të studiuar gjuhën maqedonase.

Do të krijohet një Inspektorat për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit.

Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në prezantimin e saj para votimit, tha se me shumë mund, përkushtim dhe entuziazëm kanë arritur t’i përmbushin zotimet e tyre për mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës maqedonase.

Theksoi se pas disa ndryshimeve të vogla të ligjit të mëparshëm, i cili i ka mbushur 25 vjet, ligji i ri ofron zgjidhje dhe mekanizma për ndërtimin e një politike të përshtatshme gjuhësore, mekanizma shtesë për të forcuar respektimin e gjuhës standarde maqedonase dhe përdorimin e drejtë të saj.

– Sot po bëjmë përpjekje reale në avancimin e gjuhës dhe forcimin e identitetit maqedonas.

Qëndrimi ndaj gjuhës tregon qartë synimet tona për të gjithë ata që morën pjesë në procedurën transparente të përgatitjes së saj.

U thyen shtizat dhe u bë politika për gjuhën, por ne treguam se nuk ka kompromise me gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas.

Me miratimin e këtij ligji, jo vetëm që po fitojmë një ligj të ri dhe modern për gjuhën maqedonase, por edhe një shembull se si duhet të hartohet një akt juridik që është me interes të përbashkët, me një diskutim dhe bashkëpunim të gjerë publik nga të gjitha palët e interesuara, theksoi Kostadinovska – Stojçevska.

Ajo gjithashtun tha se ligji i ri ofron bazë ligjore për miratimin e strategjisë nacionale për gjuhën maqedonase dhe prej saj dalin iniciativa të rëndësishme, siç janë bursat për studentët nga viti i katërt i arsimit të mesëm dhe studentët e studimeve të nivelit universitar, master dhe doktoraturë, të cilën e konsideron si një hap të madh drejt motivimit të të rinjve për të mësuar gjuhën maqedonase.

Gordana Siljanovska-Davkova nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së në debat tha se është bërë një “hap i madh përpara” dhe se “ky është fillimi i një historie suksesi”, sepse siç tha ajo, çdo ditë përballemi me mosrespektimin e gjuhën maqedonase në institucionet shtetërore dhe se ligji i ri “do të na drejtojë në nevojën e ruajtjes së saj”.

Theksoi se në diskutim janë pranuar amendamente, por, tha ajo, mbetet punë e papërfunduar.

Ajo konsideron se është shumë më mirë që anëtarët e Këshillit të Gjuhës maqedonase të “rekrutohen” nga institucionet më të rëndësishme për mbrojtjen e gjuhës, dhe ata vetë ta zgjedhin kryetarin e Këshillit, e jo Qeveria të beje atë.
Po ashtu tha se “nuk ka kuptim ikja nga termi makedonistika”.

Siljanovska-Davkova tha gjithashtu se ishte e mahnitur nga deklarata e përkthyesit bullgar të letërsisë bashkëkohore maqedonase, Plamen Totev, se “i pëlqente jashtëzakonisht të lexonte dhe të krahasonte letërsinë maqedonase dhe bullgare” dhe se “në gjuhën maqedonase, ai njeh tendencat evropiane që nga fillimi e deri më sot”.

– Është vullnet i mirë dhe përderisa ka deklarata të tilla ka shpresë për mirëkuptim reciprok.

Fatkeqësisht, kryetari i Kuvendit e prezantoi raportin për punën e tij fillimisht të shkruar në gjuhën shqipe, të shtypur nga Kuvendi, pastaj në gjuhën maqedonase.

Nga ai nuk pres patriotizëm kushtetues, por pres respektim të Kushtetutës dhe të Marrëveshjes Kornizë, ku shkruhet se gjuha maqedonase është zyrtare në tërë territorin e vendit dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, tha Siljanovska-Davkova.

©Makedonium