Kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, Vasil Sterjovski dhe nënkryetari Edmond Osmani, kërkuan nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë” krijimin e Bashkive të Gollobordës dhe Gorës, që ka qënë kërkesë e banorëve gjatë miratimit të ligjit në vitin 2014.
Po ashtu në emër të maqedonasve të zonës së Prespës, Sterjovski kërkoi që Bashkia Pustec, e cila është e vetmja bashki maqedonase, të emërtohet Prespa sipas ndarjes së re territoriale, sepse Pusteci është vetëm një nga nëntë fshatrat dhe poashtu 90% e territorit të Parkut Kombëtar “Prespa” është pikërisht në këtë zonë.
Ai shprehu një vlerësim pozitiv për investimet e fundit të qeverisë shqiptare në këtë bashki, të cilat po ndodhin për herë të parë në tre dekadat e fundit, të cilat dukshëm përmirësojnë kushtet e jetesës.
Pas ndarjes territoriale në Republikën e Shqipërisë që ndodhi në vitin 2014, qeveria shkriu Komunat Trebisht, Ostren dhe Steblevë në zonën e Gollobordës, për t’i bashkuar dy të parat me Bashkinë Bulqizë dhe të tretën me Librazhdit, si dhe Komunat Shishtavec, Topojan dhe Zapot, në zonën e Gorës, të cilat tashmë janë nën Bashkinë e Kuksit.
Banorët e komunitetit maqedonas në zonat e Gorës dhe Gollobordës sot janë më të papërfaqësuar. Nuk kanë asnjë këshilltar nga zona e Gorës dhe Gollobordës në këshillat bashkiak të Kukësit dhe Bulqizës dhe numurohen në gishta banorët e këtyre zonave të cilat janë të punësuar në administratën e bashkive përkatëse. Fondet alokohen drejt qendrave urbane dhe anjë investim serioz nuk kemi nga ana e Bashkive të Bulqizës dhe Kukësit ose qeveria qendrore në zonat e Gollobordës dhe Kukësit edhe pse këtu mungon uji i pijshëm, kanalizimet, rrugët rurale, energjia elektrike, tha Sterjovski.
Edhe ai edhe Osmani thanë se banorët e Gollobordës dhe të Gorës udhëtojnë me mjete të posaçme më shumë se dy orë në rrugë të amortizuara dhe të paasfaltuar për të marrë një shërbim në Bashkinë Bulqizë ose Kukës. Në dimër, ndodhë që zona e Gollobërdës dhe Gorës, për shkak të borës me muaj janë të bllokuara dhe banorët janë të detyruar të pastrojnë vetë rrugët, ndërsa fshatrat mbeten me javë pa energji elektrike. Infrastruktura rrugore në këto zona është në gjendje shumë të keqe, aty ende nuk ka rrugë të asfaltuara.
Është rasti ndoshta unik në botë ku banorët e njësisë administrative Trebisht, në zonën e Gollobordës kalojnë dy pika kufitare në Maqedoni për të vajtur në qendrën e bashkisë në qytetin e Bulqizës për të marrë një shërbim, për shkak të rrugës së amortizuar. E njejta situate është edhe më zonën e Gorës në Bashkinë Kukës. Edhe këtu banorët e fshatit Borje për shkak të rrugës së amortizuar që lidhë këtë fshat me Shishtavecin dhe Kukësin, kalojnë dy pika kufitare në Kosovë për të marrë një shërbim në qytetin e Kukësit, tha Sterjovski.
Edhe ai edhe Osmani thane se për shkak të kushteve të këqija të jetesës dhe varfërisë së skajshme, një numur i madh i banorëve janë larguar nga zonat e Gollobordës dhe Gorës në drejtim të Elbasanit, Durrëst, Kukësit, Tiranës, dhe jashtë shtetit. Ky trend i migrimit të popullsisë vazhdon edhe sot. Në vitin 2017 Kuvendi miratoi ligjin për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Republikën e Shqipërisë. Një pjesë e mire e të drejtave të pakicave lidhet me përqindjen që zënë në bashkitë. Ky ligjë përsa i përket komunitetit maqedonas pothuajse është i zbatueshëm vetëm në Bashkinë Pustec.
Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian janë të detyruara të miratojnë standarte specifike për mbrojtjen e minoriteteve të cilat janë të formuluara në politikën e zgjerimit të BE-së si dhe në në procesin e stabilizim-asocimit. Reforma administrative-territoriale është prej një rëndësie të veçant për komunitetin maqedonas dhe për të gjithë qytetarët shqiptar. Komuniteti maqedonas në Shqipëri është një komunitet paqedashës dhe loajal dhe vendit tonë i ka dhënë shumë personalitete të njohura në fusha të ndryshme të shoqërisë, tha Sterjovski.
Duke marrë në konsideratë synimin strategjik të vendit tonë që është integrimi në Bashkimin Europian dhe duke patur për bazë konventat dhe standardet më të larta ndërkombëtare që trajtojnë çështjen e minoriteteve, mbështetur edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Kuadër të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, Ligjinë për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë, Karta Evropaine e Vetqeverisjes Vendore kërkojmë të merrni parasysh kërkesat e komunitetit maqedonas dhe me ndarjen e re të hartës administrativo-territoriale Bashkia Pustec të mbetet bashki më vete me emrin Bashkia Prespë si dhe të krijohen Bashkitë e Gollobordës dhe të Gorës”, tha Sterjovski.
Me ligjin për ndarjen administrativo-territoriale të miratuar nga parlamenti në vitin 2014, pa praninë e opozitës, numri i njësive administrative u ul nga 385 në 61, ndonëse atëherë opozita kërkoi që numri i tyre të ishte të paktën 80. Së fundmi, Kuvendi ngriti një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili duhet të shqyrtojë kërkesën e opozitës për një ndarje të re territoriale.
©Makedonium