Partia e vetme maqedonase në Shqipëri, Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian, AMIE, reagon ashpër dhe dënon provokimet dhe gënjeshtrat e fundit të “Ambasadës Bullgare në Tiranë”.
Gazeta Makedonium përcjell të plotë reagimin e partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian:
NDËRHYRJE BRUTALE E BULLGARISË NË ÇËSHTJET E BRENDSHME TË SHQIPËRISË NË SYNIMIN PËR ASIMILIM TË MAQEDONASVE NË BULLGAR!
Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian (AMIE) dënon ashpër provokimet dhe gënjeshtrat e fundit të Ambasadës Bullgare në Tiranë, e cila në një deklaratë të postuar sot në faqen e ambasadës pretendon se fëmijët në Qarkun e Korçës festuan “Krishtlindjet në bullgarisht” dhe se ambasada të gjithë fëmijëve nga kopshti deri në klasën e 12-të në Bashkinë Pustec i shpërndai dhurata për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.
Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian i cilëson si provokime këto njoftime të Ambasadës Bullgare në Tiranë. Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian informon mbarë opinionin se sot në Bashkinë Pustec nuk kishte asnjë festim i “Krishtlindjeve në bullgarisht”.
Sot maqedonasit në Pustec dhe në pjesë të tjera të Shqipërisë festojnë në mënyrën tradicionale maqedonase Kolendrat, dhe nesër edhe Krishtlindjet, me zakone të trashëguara me shekuj nga paraardhësit tanë maqedonas.
Siç informojnë edhe nga shkollën e bashkuara “Mitre Kolefski dhe Trajan Gjeorgjiofski” në Pustec sot askush nuk ka dhuruar dhurata për fëmijë dhe se vetëm më 23 dhjetor 2021 janë ndarë dhurata për Vitin e Ri nga Bashkia Pustec dhe fëmijëve dhe mësuesit në shkollë i është bërë të ditur se këto dhurata i jep Bashkia Pustec.
Ambasada bullgare në Tiranë në deklaratë nuk e përmend emrin e shkollës së bashkuar “Mitre Kolefski dhe Trajan Gjeorgjiofski” në Pustec sepse e di se heroi Trajan Gjeorgjiofski nga Pusteci, emrin e të cilit sot mban shkolla në Pustec, iu bashkua në vitin 1942 partizanëve maqedonas dhe vdiq në vitin 1944 për lirinë e Maqedonisë në luftën kundër pushtuesit fashist bullgar të Maqedonisë. Në shkollat e Bashkisë Pustec, gjuha amtare maqedonase mësohet vazhdimisht prej 77 vitesh!
Lidhur me njoftimin e Ambasadës Bullgare se edhe në zonën e Gorës, Bashkia Kukës, Ambasada Bullgare dhuroi dhurata për Vitin e Ri për të gjithë fëmijët dhe se fëmijët festuan “Krishtlindjet në bullgarisht”, ne e konsiderojmë një provokim të pavend.
Në nëntë fshatra në zonën e Gorës jetojnë maqedonas të besimit islam. Në Censusin e fundit në vitin 2011 në zonën e Gorës janë deklaruar maqedonas, asnjëri prej tyre nuk është deklaruar bullgar. Kështu që, dhënia e pakove fëmijëve në shkollat e Gorës dhe shpikja sikur ata festojnë “Krishtlindjet në bullgarisht” është vetëm një tjetër perversion primitiv dhe lojë me ndjenjat fetare të maqedonasve të besimit islam. Në fund të fundit, kjo nuk është asgjë e re kur bëhet fjalë për Bullgarinë. Janë të njohura përpjekjet e Bullgarisë në kohën e Todor Zhivkovit për të asimiluar qytetarët bullgarë të besimit islam duke i detyruar me forcë ti ndryshojnë emrat myslimanë.
Maqedonasit në zonën e Gorës dhe Gollobordës presin falje zyrtare nga Bullgaria për krimet e kryera gjatë pushtimit të zonave të Gorës dhe Gollobordës nga Bullgaria në Luftën e Parë Botërore, krime që janë gdhendur në kujtesën e maqedonasve.
Ne i dënojmë këto marifete primitive bullgare të Bullgarisë, e cila në çdo mënyrë dëshiron të përfitojë nga varfëria në zonat ku jetojnë maqedonasit në Shqipëri, për t’i paraqitur ata si një komunitet bullgar.
Në zonat e Prespës, Gollobordës, Gorës, Pole dhe Vërnikut, ku Bullgaria “kërkon” pakicë bullgare, ekziston një pakicë e vetëshpallur maqedonase që ka të njëjtin folklor, tradita dhe gjuhe si populli maqedonas në tërësi në të gjitha vendet e Ballkanit, jeton në zona kompakte në kufirin me Maqedoninë dhe ka një vazhdimësi territoriale me shtetin e Maqedonisë, nuk ka asnjë lidhje me Bullgarinë!
Në pritje të Censusit të ardhshëm që do të bëhet në tetor 2022, presim intensifikimin e përpjekjeve të autoriteteve bullgare për asimilimin e komunitetit maqedonas në Shqipëri.
I bëjmë thirrje Qeverisë shqiptare, ministrive dhe autoriteteve përkatëse, si dhe komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri që t’u përgjigjen këtyre aktiviteteve nga Ambasada Bullgare dhe Sofijës zyrtare, në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe ndërhyrjen e ashpër në punët e brendshme të Republikës së Shqipërisë. Është detyrimi i të gjithë institucioneve të qeverisë, të mbrojnë bashkëqytetarët e tyre maqedonas nga agresioni bullgar, i cili, me politika dhe praktika kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, po ndërhyn në punët e brendshme të Republikës së Shqipërisë!
© Makedonium