Prespa, mbretëshresha, që po zhduket nga harta e turizmit

Statistikat tregojnë se Qarku i Korçës gjatë qeverisjes së Edi Ramës ka përfituar mbi 550 milion euro investime,por shpërndarja e tyre mes bashkive është bërë në mënyrë preferenciale, selektive dhe diskriminuese,duke mos konsideruar as nevojat e komuniteteve lokale, as potencialin ekonomik dhe zhvillimor të zonave.

Bashkia që ka marrë thërrime investimesh,më shumë si mëshirë,pse jo,edhe si strategji injoruese, është Pusteci, më e vogla dhe më e varfra e qarkut dhe vendit.

Qeveritë socialiste,në të cilat për vite, Korça ka pasur përfaqësim në nivelet më të larta,e kanë hapur thesin pa kursim për të investuar,jo qindra,por miliona euro për projekte kullash,ekzemplarë të shëmtisë urbane, qendra qytezash fantazmë, rrugë shijesh,e shtigje qejfesh, ahengje dhe festa lokale me impakt zero,edhe pse në bashki si e Pustecit,banorët vuanin deri dje për një pikë ujë.

324 milionë euro janë investuar në infrastrukturën rrugore të qarkut, pa përfshirë rrugët nacionale,por bashkia e Pustecit nuk ka përfituar asnjë qindarkë.

113 milionë euro kanë shkuar për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësve dhe kanalizime,nga të cilat 4 milion euro zgjidhën problemin e furnizimit me ujë të zonës,pas plot 30 vitesh.

40 milionë euro për turizmin dhe mjedisin,por Kisha e Maligradit dhe Muzeu i Sterjo Spases u restauruan dhe ndërtuan nga fondet e BE. Edhe mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Prespës prej disa vitesh vazhdojnë ta financojnë gjermanët.

Duke vazhduar me 20.3 milion euro për kulturën, 36 milion euro për shkollat, 18 milion për shëndetësinë, pyet: “Ku është Pusteci në këtë panoramë zhvillimi?” Në askund,është përgjigjia.

Sot Prespa duhet të ishte mbretëresha e turizmit të juglindjes,por një nga zonat më të pasura për nga biodiversiteti dhe bukuritë natyrore, me histori, traditë, mikpritje dhe potencial të jashtëzakonshëm për turizëm natyror, ekologjik dhe kulturor,nuk ka as rrugë lidhëse mes fshatrave,as infrastrukturën më bazike,për banorët e saj dhe më pas për vizitorët,që propaganda kur nuk i gjen, i shpik.

Pusteci është rasti tipik se si, propaganda përplaset me realitetin e ashpër të një zone të lënë pas dore, ku asnjë investim madhor nuk ka mbërritur.

Ndërsa bashkitë si Korça, Pogradeci apo Kolonja kanë thithur miliona euro për projekte që shpesh nuk kanë impakt direkt në ekonominë vendore si pedonale të shtrenjta,shatërvanë, kulla urbane apo rrugë dhe sheshe që përmirësojnë vetëm estetikën, Pusteci lutet për ca km rrugë dhe shërbime minimale akomodimi.

Më shumë se thelbi i një padrejtësie politike, rasti i Pustecit është vetëvrasje strategjike për ekonominë e Rajonit, përkthyer si kosto e drejtpërdrejtë nga moszhvillimi.

Me një llogari të thjeshtë,nese Prespa do kishte rreth 10 mijë vizitorë në vit,me një shpenzim mesatar secili prej 70 euro në ditë,mund të sillnin mbi 700 mijë euro të ardhura për ekonominë vendore,por kjo perspektivë bëhet e arritshme, nëse investimet do ndaheshin dhe orientoheshin sipas potencialit dhe mbi një planifikim të drejtë.

Në garë me kohën, emigracionin që po tkurr edhe më shumë zonën,investimet në Prespë duhet të konsiderohen emergjencë serioze, në të kundërt, nuk do jetë e largët dita, kur do na shesin lajmin e madh, se në Prespë u hap bujtina “Bangladeshi”.

Daniela Zisi