AMIE u bë anëtare e Aleancës së Lirë Evropiane EFA

Partia e vetme që përfaqëson maqedonasit në Shqipëri, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, AMIE, u bë anëtare e plotë e Aleancës së Lirë Evropiane EFA, për të cilën u mor vendim unanim nga delegatët e Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Lirë Evropiane në Bruksel.

Kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, Vasil Sterjovski, përpara pranimit, mbajti fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Aleancës së Lirë Evropiane.

Ai foli për historinë e partisë së krijuar më 8 qershor 2005, e cila sipas ligjit shqiptar për partitë politike është përfaqësuesja e vetme e maqedonasve në Shqipëri, duke vlerësuar se partia është një përkrahëse e fortë e të drejtave të maqedonasit në Shqipëri.

– Ne maqedonasit qëndrojmë të bashkuar, pa dallim feje, rajoni apo prejardhjeje socio-kulturore. Puna jonë i përmbahet rreptësisht Kushtetutës së Shqipërisë, me një angazhim të vendosur ndaj parimeve demokratike, diversitetit kulturor, të drejtave të minoriteteve dhe zhvillimit ekonomik. Parimi themelor i partisë sonë është mbrojtja dhe përfaqësimi i interesave shoqërore, politike dhe etno-kulturore të qytetarëve shqiptarë me kombësi maqedonase, duke ruajtur gjuhën, traditat dhe trashëgiminë tonë – tha Sterjovski.

Shtoi se AMIE është e përkushtuar për të inkurajuar bashkëpunimin me minoritetet e tjera në Shqipëri, duke respektuar dhe mbështetur të drejtat e tyre etnike, gjuhën dhe kulturën.

– Guri i themelit të misionit tonë është avokimi për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, duke përmbushur dhe tejkaluar standardet euroatlantike në të gjitha aspektet e shoqërisë dhe menaxhimit të shtetit. Prioritetet tona përfshijnë mbështetjen e të drejtave themelore të njeriut, inkurajimin e një shoqërie shqiptare multietnike, multikulturore të bazuar në ligj dhe drejtësi, përdorimin e konventave ndërkombëtare dhe avokimin për legjislacion të avancuar për të drejtat e minoriteteve – theksoi ai.

Baza sociale e partisë sonë, theksoi Sterjovski, përfshin popullatën maqedonase në Shqipëri dhe qytetarët që evokojnë për drejtësi dhe të drejta të barabarta për të gjitha minoritetet, duke theksuar se kanë krijuar partneritete me parti politike shqiptare, ballkanike dhe evropiane, organizata që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve dhe struktura euroatlantike të përkushtuara ndaj këtyre parimeve themelore.

– Programi politik i partisë sonë është i rrënjosur thellë në gjithëpërfshirjen, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e minoriteteve. Ne përpiqemi të nxisim një shoqëri më të barabartë, të larmishme dhe të integruar në Shqipëri dhe në kontekstin më të gjerë evropian. Maqedonasit në Republikën e Shqipërisë janë qytetarë luajal, por ne mbetemi të lidhur me krenari me trashëgiminë, gjuhën dhe traditat tona maqedonase. Partia jonë, e pozicionuar në qendër të spektrit politik, është e vendosur në mbrojtjen e identitetit, kulturës, gjuhës dhe traditave maqedonase në Republikën e Shqipërisë – tha ai.

Ai theksoi se që nga themelimi i saj, AMIE ka shfaqur një prani të theksuar politike në struktura të ndryshme të qeverisjes vendore, rajonale dhe kombëtare dhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Aleanca e Lirë Evropiane EFA është parti që përfaqëson minoritetet në Parlamentin Evropian. Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian është e vetmja parti nga Shqipëria që është anëtare e Aleancës së Lirë Evropiane.

©Makedonium