Busti i Goce Dellçevit do të vendoset në qendër të Pustecit

Këshilli i Bashkisë Pustec mbështeti iniciativën dhe kërkesën e partisë, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europiane, AMIE, për vendosjen e bustit të Goce Dellçevit në sheshin e fshatit Pustec, që mban emrin e tij.

Iniciativa është hedhur në debat publik dhe pritet që në fund të muajit të ardhshëm këshilltarët të marrin vendim për vendosjen e bustit të autorit Zoran Toshevski, donacion nga AMIE dhe synon të jetë pjesë integrale e peizazhi kulturo-historik i zonës së Prespës.

“Kjo nismë vjen si një përpjekje për të nderuar dhe përjetësuar kujtimin e Goce Dellçevit, heroit kombëtar maqedonas dhe figurës kyçe të lëvizjes revolucionare maqedonase. Goce Dellçev, lindur më 4 shkurt 1872 dhe dëshmor i lirisë më 4 maj 1903, njihet si një nga figurat më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë. Si anëtar i Organizatës Revolucionare Maqedonase dhe udhëheqës i Lëvizjes revolucionare nacionalçlirimtare maqedonase, veprimtaria e tij ka lënë një ndikim të thellë në historinë, kulturën dhe ndërgjegjen kombëtare maqedonase. Dedikimi dhe sakrifica e tij për lirinë e Maqedonisë e kanë bërë atë një simbol të përhershëm të guximit dhe përkushtimit për ideale. Goce Dellçev me jetën dhe veprën e tij u shndërrua në apostull për maqedonasit dhe kujtimi i tij përcillet brez pas brezi jo vetëm te maqedonasit nga Shqipëria, por edhe kudo në botë ku ata jetojnë”, thuhet në kërkesën e AMIE-së e firmosur nga kryetari i patisë Vasil Sterjovski.

Shtohet se në mesin e shumë këngëve që këndohen te maqedonasit në Shqipëri për çlirimin e Maqedonisë, të cilat e kanë origjinën nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të, nuk mungojnë edhe këngët për Goce Dellçevin që këndohen në zonën e Prespës.

“Meritë për ruajtjen e kujtimit të Goce Dellçevit ndër maqedonasit nga Shqipëria ka edhe shkrimtari i madh me origjinë maqedonase Sterjo Spasse, i cili në romanet e tij të botuara në Shqipëri përshkruan bashkëpunimin e revolucionarëve maqedonas dhe shqiptarë për lirinë nga robëria turke dhe rolin e Goce Dellçevit. Në vitin 1988 me iniciativën e Vasil Papa nga fshati Tuminec, zona e Prespës, anija e peshkimit për ndërrmarjen e peshkimit në Prespë u quajt “Goce Dellçev”, thuhet më tej në kërkesën e AMIE-së.

Theksohet se pas rënies së sistemit komunist të Enver Hoxhës dhe shfaqjes së proceseve demokratike, maqedonasit nga Shqipëria u organizuan në organizata kulturore, shoqërore dhe politike dhe emri i Goce Dellçevit u bë simbol i luftës për të drejtat e njeriut të maqedonasve nga Shqipëria.

Fotografia e tij është e pranishme në shtëpitë maqedonase, nëpër shkolla, lokale, në manifestime të ndryshme e jo vetëm.

“Këngët për Goce Dellçevin këndohen në ngjarje të ndryshme, dasma, festime etj. Nxënësit në shkolla recitojnë poezi për Goce Dellçevin. Në muret e gjimnazit në Pustec ka panele me veprimtar maqedonas, ndër të cilët edhe Goce Dellçev, dhe është shkruar deklarata e tij epokale për të kuptuarit e botës si fushë e garës kulturore ndërmjet kombeve. Emri Goce dhe Aleksandar janë emrat më të njohur në mesin e maqedonasve në Prespë”, thuhet në kërkesën e AMIE-së drejtuar Këshillit të Bashkisë Pustec.

Në vitin 2008, Këshilli i Komunës së Pustecit njëzëri miratoi vendimin me të cilin sheshi në Pustec u emërua Goce Dellçev, dhe vendosja e këtij busti, sipas AMIE-së, do të shërbente jo vetëm si një nderim i merituar për Dellçevin, por gjithashtu si një mënyrë për të frymëzuar brezat e tanishëm dhe të ardhshëm me historinë dhe vlerat që ai përfaqëson dhe do të jetë një shtesë e rëndësishme për komunitetin dhe do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë dhe identitetit kulturor maqedonas në rajon.

©Makedonium