“Korça Report”: Atje ku vidhet nuk mund të ketë mbarësi, Prespa më keq se 24 vite më parë

Poratali “Korça Report” shkruan në lidhje me 24 vjetorin e krijimit të Parkut Kombëtar të Prespës si dhe për abuzimet me fondet që janë kryer që nga krijimi i Parkut në vitin 2000.

Më poshtë po përcjellim shkrimin e plotë të Korça Report.

“Atje ku vetëm vidhet nuk mund të ketë mbarësi, Prespa më keq se 24 vite më parë kur u shpall dhe investua si Park Kombëtar.

Pusteci si një nga zonat më të bukura turistike në vitin 2000 do të shpallej Park Kombëtar.

Në këto 24 vite, askush nuk e mohon se kanë qenë me dhjetra e dhjetra milionë euro të investuara në këtë zonë nga fonde të BE-së dhe donatorë të huaj kryesisht gjermanë.

Siç është thënë edhe më parë, kjo rrjedha e fondeve ka përfunduar si një lumë i përpirë nga shkretëtira në emër të Parkut Kombëtar të Prespës.

Të gjithë e drejtojnë gishtin diku, pa nxjerrë asnjë përgjegjësi. Një komentues, në adresë të Korça Report u shpreh se janë diku te 10 familje që e kanë shijuar këtë investim madhor në zonën e Prespës.

“Mund ti thuash një perlë natyrore, por një përdorim total për pasurimin e hajnave e hajdutëve, dhe jo për ngritjen në nivelin e kërkuar të turizmit dhe kritereve të ivestimeve shtetërore”, reagon një tjetër komentues.

I ashtuquajturi operatori turistik i kësaj zone Kiço Ago që prej vitesh sakrifikon në investimin e tij e thotë më troç.

“Unë si operator turistik gjatë krijimit të Parkut Kombëtar nuk kam përfituar asnjë qindarkë. Në vend të bëhej turizmi, nuk e di ku kanë vajtur këto lek. E kam bërë problem por asgjë nuk është bërë. Disa kanë përfituar në suvatim por nuk duket investimi”, tha Ago.

Pavarësisht kësaj lëngate që raportohet nga ata persona që e përjetojnë realisht gjendjen dhe turizmin në Prespë, sot është shënuar si ngjarje 24 vjetori i krijimit të parkut kombëtar.

Për keqpërdorimin e fondeve në Parkun Kombëtar të Prespës, tre vite më parë në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Vasil Sterjovski pati një interpelancë me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Më poshtë interpelanca e deputetit Vasil Sterjovski me ministrin Blendi Klosi.