Nikolla Tane: Maqedonasit e Prespës kërkojnë të drejtat e tyre brenda institucioneve dhe nuk janë faktor destabiliteti

Nikolla Tane, me origjinë nga fshati Glloboçeni, ishte mësues në zonën e Prespës. Për një mandat ka qënë edhe Kryetar i Komunës Pustec. Më 11 gusht 2002, gazetari Sokol Shameti botoi një reportazh në revistën “Klan” për vizitën në Prespë i Ljube Boshkovskit, ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë, ku në reportazh në menyrë përbuzëse shkruante për maqedonasit e Prespës. Për këto ofendime, në mediat shqiptare ka reaguar intelektuali Nikolla Tane. Gazeta Makedonium riboton të plotë reagimin e Nikolla Tanes nga 22 gushti 2002. Nikolla Tane vdiq në vitin 2005. Ai ishte një person i respektuar në zonën e Prespës dhe një maqedonas krenar që e donte zonën e Prespës.

Më poshtë reagimi i plotë i Nikolla Tane:

Përgjigje artikullit:”Ljube vëllai ynë” botuar tek revista “Klan”

Shkak i këtij shkrimi është artikulli:”Reporazh, Liqenasi, Aventurat e rradhës së Boshkovskit” botuar te revista “Klan” dt. 11 Gusht 2002, me autor Sokol Shameti. Si parantez fjala: “Shameti-Shamatë” do të thotë: sher e shamatë, remujë, trazirë, gjurulldi, lesh e li.

Në krye të artikullit shkruhet:”Ljube vëllai ynë”. Ju sqarojme shoku Sokol dhe Sokolët e tjerë se është e vërtetë që Ljube Boshkovski është vëllai ynë, sepse jemi të një gjaku, të një besimi, të një gjuhe dhe na u bë qejfi që kjo figurë e lartë shtetërore maqedonase vizitoi Prespën në menyrë private, ashtu siç mund të vizitoj një figurë e lartë shtetërore shqiptare, shqiptaret që banojnë në Maqedoni, ose më saktë siç i kanë vizituar shumë herë.

Më poshtë shkruani në menyrë përbuzëse se: “Prespiotët janë të shquar absolutisht për asgjë me përjashtim të një shkrimtari për fëmijë të viteve 30-40”. Duke u shprehur në këtë menyrë ju në rradhë të parë injoroni veten tuaj, tregoni shkallën e njohurive tuaja, jo vetëm për Prespën, por edhe më gjerë.

Prespa është një zonë me potencial të madh intelektual, kulturor, ekonomik etj. Ajo nuk ka nxjerë vetëm një shkrimtar për fëmijë siç thoni ju dhe ndonjë tjetër si ju, por ka nxjerë një shkrimtar me përmasa botërore me kulturë me horizont shumë të gjerë, që ka shkruar shumë vepra të cilat janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe nuk krenohet vetëm Prespa, por mbarë Shqipëria. Në qoftëse nuk keni njohuri për këtë pyesni ndonje shok që ka mbaruar arsimin 8-vjeçar ose më lartë, se ju sipas mendimeve qe shprehni në artikull, nuk besojmë që keni mbaruar arsimin 8-vjeçar ose me lartë, se ju sipas mendimeve që shprehni në artikull nuk besojmë të keni mbaruar as arsimin parashkollor dhe po të keni mbaruar këtë nivel, me siguri do të keni qënë ndonjë nxënës me aftesi të kufizuar.

Prespioti është një popull i urtë, i zgjuar, tolerant dhe shumë mikëpritës, ka kontribuar në shoqërinë shqiptare, di të kërkoj të drejtat dhe liritë e tij brenda institucioneve dhe asnjëherë nuk ka qënë faktor destabiliteti.

Gjithashtu ju sqarojme se Prespa ka mbi 200 (dyqind) djem dhe vajza me arsim të lartë, me profesione të ndryshme dhe sot janë pa punë, në ato pak vende pune që janë në zonë, janë punësuar njerëz nga Tirana, Tepelena, Vlora. Këta djem dhe vajza kanë përfaqsuar rrethin e Korçës në olimpiadat e ndryshme shkencore që zhvilloheshin në shkallë republike dhe gjithnjë kanë zënë vend të parë dhe rrallë të dytin. Korça krenohej me keta djem dhe vajza të zgjuar. Nga ky kontigjent kanë dalë edhe shume poete të tjerë të rinj që kanë shkruar shumë vjersha dhe poema të cilat mësohen në arsimin 8-vjeçar.

Banorët e Prespës nuk jetojnë me iluzionin se bëjnë pjesë në një shtet tjetër. Ata dinë ku jetojnë dhe kërkojnë të drejtat që u jep ligji, karta për të drejtat dhe liritë e minoriteteve.

Në historinë e tyre maqedonasit që jetojnë në Prespë nuk i kanë sjellë ndonjë shqetësim shtetit shqiptar, ata kanë trashëguar kulturën e tyre të lashtë, gjuhën dhe zakonet. Ata nuk ruajnë në shpirt urejtjen e hakmarjen, por tolerancën dhe miqësinë. Me Korçën, me shqiptaret ata kanë bashkëjetuar dhe bashkëjetojnë dhe i lidhin miqësi të vjetra dhe të reja, të cilat kanë jo vetëm specifikën e tyre por dallohen për diapazonin e gjerë e të shumëllojshëm të tyre. Kjo bashkëjetesë, kjo miqësi është frut i tolerancës, i mirëkuptimit të ndërsjelltë për të krijuar bashkërisht një paqe rajonale. Sot nuk duhet të nxitet urrejtja, perçarja por të thellohet miqësia mirëkuptimi, toleranca mes popujve, se popujt duan të rojne në fqinjësi të mirë me njeri tjetrin dhe kur dihet se kudo minoritet janë ura lidhëse mes popujve.

Është e vërtetë se dëgjojmë dhe shikojmë stacionet maqedonase dhe të tjera, por njëkohsisht duam të dëgjojmë edhe të gjitha stacionet televizive shqiptare, të marim informacione për veprimtarinë e qeverisë, e shtetit, por fatkeqsisht sinjalet televizive nuk depërtojnë në këtë zonë të izoluar dhe të braktisur nga shteti, pa drita, pa ujë, pa rrugë, pa investime.

Maqedonasit e Prespës janë një popull arsimdashës. Përpjekjet e para për të hapur shkollë janë bërë qysh në vitin 1903 dhe faktikisht shkolla e parë u hap në vitin 1908. Sot fëmijët shkojnë në shkollë dhe sipas ligjit 20% të mësimit zhvillohet në gjuhën amtare maqedonase dhe të gjithë arsimtarët kanë arsimin përkatës dhe kanë një përgatitje të lartë pedagogjiko-profesionale. Një pjesë prej tyre kanë hartuar tekste shkollore dhe gjithë sistemi arsimor është nën kontrollin e vazhdueshëm të drejtorise arsimore Korçë si dhe nga Ministria e arsimit dhe nuk ka mësues me difekte siç thoni ju, me difekte mund të kenë qënë ata edukator që ju kanë dhënë mësime të kufizuara juve.

Maqedonasit e Prespës në raste shumë të rralla festash fetare apo private e valvitin flamurin maqedonas dhe kjo s’ka ndonjë gjë të keqe, kurse shqiptarët në Maqedoni e mbajnë kudo dhe gjithmonë bile edhe në zyrat shteterore maqedonase.

Ne jemi njohur si maqedonas dhe na janë dhënë disa të drejta si: liria e fjalës, e shtypit, e gjuhës, e zakonit. Mitingu paqësor i mbajtur një vit më parë në Prespë ishte një miting paqësor për zgjidhjen e problemeve me dialog, me mirëkuptim dhe jo me luftë, se lufta është regres dhe primitivizëm qe i ka ikur koha.

Shoku Sokol sa për shqetesimin tuaj për ta vendosur kufirin te Thana mos u shqetesoni shumë se kufiri ka qënë i vendosur në sistemin totalitar, ku shumë Prespiot u burgosën, u persekutuan, u keqtrajtuan. Në Prespë kishte filluar një fushate asimiluese duke i ndruar emrat maqedoase të fshatrave, të njerezve nga maqedonas në shqiptar dhe shumë veprime të tjera diskriminuese. Me ardhjen e demokracise thana ku u vendos kufiri u tha, por pas vitit 1997 kjo thanë mbiu përsëri dhe përsëri u vendos kufiri. Menjehere filluan keqtrajtimet, pushimet nga puna. Janë pushuar 27 (njëzet e shtatë) persona, janë bastisur dhjetra familje fshatare në mes të nates, janë burgosur disa persona, njërzit ndiqen kudo, në çdo hap dhe nuk lejohen të sigurojnë bukën e gojës dhe veprime të tjera qe bien në kundershtim me të drejtat dhe liritë e minoriteteve, prandaj flini të qetë shoku Sokol se kufiri te thana është vendosur.

Nga problemet që trajtohen nga ju në artikull dhe nga sqarimet e shkurtra me fakte reale mund të pyesim:

-A nuk kemi të drejtë të presim vëllain apo mikun tonë?

-A nuk kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat tona brenda institucioneve?

-A nuk kemi të drejtë të shprehim lirshëm mendimet tona?

-A nuk kemi të drejtë të punësohemi në ato vende pune që ka Prespa?

-A nuk kemi të drejtë të shikojmë stacionet televizive të Maqedonisë?

-A nuk kemi të drejtë ti kthejmë emrat e vjetër maqedonase të fshatrave?

-A nuk kemi të drejtë të kemi dritë, ujë, rrugë, investime?

Dhe shume pyetje të tjera që koha do ti jap përgjigje.


NIKOLLA TANE
Pustec me 22 Gusht 2002