Në Pustec u promovua vepra “Fuçi Baruti” të autorit Dukovski

Në Pustec, nën organizimin e shoqatës “Aktivizmi Letrar dhe Kulturor” nga Korça dhe shoqatën “Rinia në Veprim” nga Resnja, është promovuar vepra “Fuçi Baruti” e dramaturgut Dejan Dukovski, shqipëruar nga Milena Selimi.

Në aktivitet mori pjesë edhe Jonela Spaho, dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, Pali Kolefski, kryetar i Bashkisë Pustec, mësues dhe nxënës të shkollës së mesme “Mitre Kolefski dhe Trajan Gjorgjiovski” nga Pusteci dhe të ftuar të tjerë.

Veprën “Fuçi Baruti” e prezantoi Eris Rusi, profesor në Universitetin e Korçës dhe kryetar i organizatës “Aktivizmi Letrar dhe Kulturor”.

– Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të punës me Institutin e Librit dhe Promocionit në Shqipëri, organizata “Aktivizmi letrar dhe Kulturor” i dha jetë nismës “Fqinjët përballë pasqyrës”, për të sjellë në shqip dramën e autorit të mirënjohur Dejan Dukovski, nga Maqedonia, me shqipërimin e përkthyeses së njohur Milena Selimi të veprës “Fuçi Baruti” nga ky autor. Dejan Dukovski zë një vend të rëndësishëm në Maqedoni dhe është një nga dramaturgët më të vlerësuar në panoramën e artit dramatik në Evropë, tha Rusi.

Shtoi se “Në cilësinë e dëshmitarit konkret të luftës dhe konflikteve në Ballkan, ai përshkruan pasojat e saj në një shfaqje e cila është e ndarë në shtatë momente, secila e banuar nga një mikrokozmos grotesk personazhesh të dëshpëruar që përfaqësojnë të gjithë potencialin shpërthyes të situatave janë përherë në prag të dhunës”.

Sipas promotorit, “Fuçi Baruti” nuk është vetëm një shpalosje e natyrës ballkanase, e kontradiktës dhe absurdin që gjallon jetën e komuniteteve dhe kulturave në kontakt të vazhdueshëm me njëra-tjetrën.

– Ky tekst, shënjon dhe tejkalimin e kufirit gjuhësor, për të shkuar pranë një realiteti ku të gjithë mund të shihemi si përballë një pasqyre ku reflekton edhe fqinji ynë, edhe e djeshmja jonë, historia që ka ushqyer paqen dhe konfliktet mes nesh. Kjo ishte arsyeja që organizata “Aktivizmi letrar dhe kulturor”, vendosi të botonte në shqip një nga dramat më të fuqishme të këtij autori të mirënjohur, në mënyrë që botimi i tekstit të qarkullojë, të prezantohet dhe të diskutohet në takime me specialistë në këtë fushë, dashamirët e artit dramatik dhe të rinjtë që gjejnë në teatër forcën për të ndryshuar realitetin, theksoi Rusi.

Drama “Fuçi Baruti”, shtoi ai, është një evokim i territ që ka nevojë të përflitet dhe të sfidohet në errësirën e tij, dialogët, të mbushur me tension, paradoks dhe absurd, i mundësojnë lexuesve hapësira për debat mbi përmbajtjen e veprës, mbi artin dramatik, mbi ngjashmëritë dhe ndryshimet midis kulturës shqiptare dhe maqedonase, duke parë fqinjët tanë si fytyrën e një pasqyrë në të cilën reflektohen vetvetja jonë.

Kryetari Kolefski i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi organizatorët dhe premtoi edhe më shumë aktivitete të tilla dhe të ngjashme kulturore në të ardhmen.

Promovimi i veprës “Fuçi Baruti”, të autorit Dejan Dukovski do të organizohet edhe në Korçë më 27 të këtij muaji.

©Makedonium