STROFA TË ARGJENDTA, VARGJE TË FLORINJTA

E quaj një dhuratë të bukur librin “Krijues letrarë nga minoritetit maqedonas, në Republikën e Shqipërisë”, dhuruar me një dedikim nga intelektuali krijues, Foto Nikolla që përzgjodhi, renditi dhe përshtati këtë libër.

Kostume maqedonase nga Prespa

Në këtë libër të vyer ka edhe një sërë këngësh popullore të kësaj zone që të bëjnë përshtypje për njomështinë, lirizmin, frymëzimin e sinqertë. Mbi të gjitha në to spikat humanizmi dhe dashuria.

Uromë i dashur baba
Se do të shkoi i dashur baba, tek një tjetër baba
Uromë mama
Se do të shkoi mama, tek një tjetër mama
Se do të shkoi vella, tek një tjetër vëlla
Uromë e dashur motër, tek tjetër motër…

Rritja me këtë frymë të shëndoshë e kuptimit të jetës, për tu bërë nesër pjesë e një familjeje tjetër, do të shoqërohet më tej krahas gëzimit të natyrshëm, edhe me trishtim dhe me mister.

Oh, ejani të shkojmë
Fshatin e kemi larg
Rrugën e kemi me gurë
Fëmijët i kemi të vegjël

Pas kësaj kënge lirike kur nusja hyn në shtëpinë e saj të re, në familjen e saj të re, kemi në vijim një këngë tjetër ku nusja sapo ka shkuar tek “nëna dhe babai tjetër”, një botë tjetër, një dramë e jetës.

Këndezi këndon herët në mëngjes
Herët në mëngjes, herët përpara agimit
Ma zgjon nga gjumi nusen e re
Nusen e re që na fle rehat
Ngrehu moj, ngrehu nuse e re
Ngrehu moj, ngrehu kalin ma përgatit
Bandillin ma përcill në kurbet të largët
Në kurbet të largët, të shkretën Amerikë…

Dhe kështu fillon një jetë dramatike ku “vajza e valëve” ndodhet jo vetëm në Vlorë, në Himarë, por edhe buzë liqenit të Prespës dhe “pret atë që pret”. Por vajza e martuar e kësaj zone të cilës burri i shkon larg, në kurbet, ka një mënyrë tjetër të shprehuri po aq lirik dhe poetik

Vasha iku
Borzilokun e la
Nënën porosit:
-Nënë, nënë plakë
Borzilok të mbjellësh
Borzilokun ta vaditësh
Në mëngjes me vesë
Në mbrëmje me lot
Por ejani shoqe të dashura
Ti hip kalit të shpejtë
Të shkoj tek burri

Dhe në epilog kemi disa vargje plot densitet dramatik dhe tragjik, me dhimbje, vaj dhe gjak…

U martova moj nënë u martova
U martova hair nuk pashë
…U mblodhën nënë, u mblodhën
U mblodhën soj e sorollop
Shkruan, nënë shkruan
Shkruan për jetën time të mallkuar…

Kostum popullor nga fshati Vërnik

A nuk është kjo poema e dikurshme e jetës? Jeta a nuk është një ëndërr? Dhe kush i kendon me këto vargje të brishta dhe njëherësh të pavdekshme” kësaj “ëndrre të ëndërruar nga një hije”? A nuk është kjo vjershë nje “Milosao” e veçantë që pasi shëtit botën ashtu siç tha dikur Lamartini i madh, kthehet përsëri në brigjet e veta?

Mbath kalin herët të dielën
Patkonj të argjendtë
Gozhdë të florinjta
-Ah, ti o kali im i mirë
Nuk mendoi të shes
Por unë mendoj tek e dashura të shkoj
Përse?
Vashën ta sjell
Nënën ta lehtësoj
Nga magjet e rënda
Nga shtambat larashe

Ah, nëna, përsëri nëna- krijuesja e jetës dhe shenjtëria e saj… Në këtë “Molisao” të pavdekshme nëna është një kryepersonazh i dashurisë, në këto strofa të argjendta, ne këto vargje të florinjta…

Zenel Anxhaku