Qendra e gjuhës maqedonase mbetet në Lerin – gjykata i hodhi poshtë paditë për mbylljen e saj

Fitore historike e maqedonasve në Greqi. Kështu e komentoi Dimitri Ioanu, një nga themeluesit e Qendrës së Gjuhës Maqedonase në Lerin, vendimin e Gjykatës Themelore të Lerinit, e cila anuloi të gjitha kërkesat për ndalimin e kësaj shoqate të maqedonasve në Greqi. Qendra u regjistrua vitin e kaluar në korrik dhe menjëherë u pasua nga paditë për ndalimin e saj, të paraqitura nga disa organizata të ekstremit të djathtë dhe parti politike në Greqi, dhe një kërkesë u bë personalisht nga prokurori publik i qarkut Lerin.

– Është një fitore e madhe historike për ne, një kënaqësi e madhe juridike që lufta jonë disa dekadash ka dhënë fryte. Ishte një surprizë e madhe, por edhe një konfirmim se jemi në rrugën e duhur për të realizuar të drejtat tona njerëzore, thotë Dimitri Ioanu, një nga themeluesit e Qendrës së Gjuhës Maqedonase në Greqi.

Gjykimi i parë është mbajtur më 16 shkurt, ndërsa nga Qendra e Gjuhës Maqedonase thonë se argumentet e tyre, ndër të tjera, i kanë paraqitur edhe me prova për njohjen e gjuhës maqedonase nga shteti grek më shumë se një shekull më parë. Gjykata i hodhi poshtë të gjitha kërkesat për ndalim si të pabaza dhe të papranueshme, kështu që Qendra për Gjuhën Maqedonase në Greqi mbetet një organizatë joqeveritare e regjistruar ligjërisht.

– Ne po mundohemi ta ushqejmë dhe ta promovojmë gjuhën maqedonase për të nxitur që ajo të hyjë në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë në ato vende ku flitet. Dikur na dukej se këto synime ishin të vështira për t’u arritur, por gjërat dalëngadalë po ndryshojnë dhe ky vendim gjykate i vërtetoi të gjitha këto, thotë Ioanu.

Nga Qendra e Gjuhës Maqedonase në Greqi thonë se një aktgjykim i tillë, edhe pse i pritshëm nga pikëpamja juridike, është ende një surprizë e këndshme nëse merret parasysh situata aktuale në Greqi dhe ata e kanë mirëpritur vendimin e gjyqtarit që refuzoi kërkesat dhe paditë për ndalimin e kësaj shoqatë të maqedonasve në Greqi.

©Makedonium