UDHËTIM NË ANTOLOGJINË E POEZISË MAQEDONASE

Nga Vasil STERJOVSKI

Ikni, ikni, të gjithë. Më lini vetëm një minutë në heshtje
Në një minutë ku përmblidhen të gjitha planetët
Dhe krijimi i universeve
Një minutë me veten…

Vasil Sterjovski

Këto vargje më vijnë nder mendje ndërsa mbaroi së lexuari antologjinë poetike me poetë maqedonas, e shënuar për vlerat e saj të gjithanshme, artistike dhe njohëse.

Këtu në këtë antologji vijnë xixëllonjat e mendimeve dhe ëndrrat e kohës, vijnë të regjistruara në kujtesën poetike historia maqedonase dhe përpjekjet e sotme për tu integruar në Europë, me dhjetëra zera poetikë të cilët bashkohen në një zë të përbashket, për të dhënë zërin e Maqedonisë, zërin e saj të lashtë dhe të ri, nje zë poetik të fuqishëm dhe cilësor.

Jo rastësisht antologjia poetike hapet me Venko Markovskin dhe pikërisht me “Këngë për vdekjen e Mirçe Arçevit dhe Strasaho Pinxhurit”. Është në fakt një baladë heroike për qëndresën dhe lirinë. Autori me qëllim i hiperbolizon dy heronjtë e baladës. I njehson me personazhet dhe historinë, si Anteu që del nga toka.

Venko Markovski

Kënga me tonet e saj të forta elegjiake megjithatë mbetet një tragjedi optimiste. Poeti ka besim se gjaku i heronjve nuk shkoi dëm siç humbet bashkë me ujërat nëntokësorë, por është një burim, një lumë, një det që gjithmonë flet me zërin e rinisë, trimërisë dhe lirisë.

Hiperbola dhe metafora përdoret me sukses edhe tek “Përrallë për drugdhendësin” ku përsëri me tone heroike i këndohet historisë dhe po ashtu edhe tek “Vdekja e diellit” dhe “Vajtim”.

Venko Markovski është një poet klasik që përfaqëson një periudhë të caktuar të poezisë maqedonase. Ai është i drejtpërdrejtë, i thjeshtë në të kuptuar dhe njëherësh i thellë në mendimet.

Grigor Përliçev është një emër i njohur dhe i nderuar poetik në Shqipëri, për faktin se në Shqipëri është botuar e përkthyer poema e tij e njohur “Skënderbeu”.

Grigor Prliçev

Në këtë antologji poetike ai është përfaqësuar me një cikël poezish me temë legjendare që e marrin temën nga legjendat popullore. Të tilla janë “Marrja e fuqisë”, “Aterna”, “Kalaja”, “Manastiri i Markut”, “Kodra e qenit”.

Vjersha të tilla si “Dreri i vetmuar”, “Lutje” etj janë lirike dhe të mbeten ndërmend për freskinë, figurat e pasura dhe detajet e marrë nga jeta.

“Gratë e bukura”, “Druri i vetmuar” dhe “Lutje” janë një triptik që i ngjan një ure me tri harqe ku metaforat kapin dhe ngërthejnë njëra-tjetrën dhe ku lëngu i jetës bashkë me gëzimin the fatalitetin, kalojnë dhe bashkohen deri në zemrat e lexuesve duke lënë aty gjurmë të çmuara kujtimesh të hershme. Në këto poezi të kristalta duket më së miri forca poetike e Grigor Përliçevit i cili do t’i bënte nder çdo antologjie poetike.

Gratë e bukura të popullit tim
Sa herët lule çelin
Si lule kajsie
Si jargavan maji
Oh ç’padrejtësi
Ato u përkasin do farë meshkujve
Flokët e tyre ditën i lidhin shami
Hijeshinë e tyre shpejt e zbehin mbesat
Rinia e tyre vajti
Si aromë bliri që e shpërndan era….

Intimja dhe shoqërorja këtu ndërthuren natyrshëm duke dhënë përmes paradoksit poetik një portret të bukur, por të dhimbshëm, delikat dhe njëkohësisht të ashpër.

Ky autor që aq mirë diti të futet ne realitetin e legjendave po aq bukur u fut në legjendën e jetës.

I veçantë është edhe zëri poetik i Aco Shopovit, ku me baladen e gjatë “Sytë” jepet një simfoni heroike ku marshimi i luftës me anë të epiteteve shpalos figurën e një luftëtareje në çastet e fundit e cila megjithëse po largohej nga jeta, është optimiste dhe krenare për udhën që ka përshkruar. Ndërsa në poezinë me vetëm katër vargje “Në heshtje”, që ka një lidhje të brendshme me poezinë “Lutje për një fjalë të rëndom por ende të pazbuluar” tregohet rëndësia dhe pesha e fjalës si urë komunikimi për të gjitha zemrat njerëzore.

Aco Shopov

Nëse më sjell diçka që nuk e di
Diçka që të ngacmon dhe të djeg prush
Thaje në heshtje në thellësi
Heshtja vetë do ta thotë më mirë se kush…

Në këtë cikël të këtij poeti janë të spikatura edhe poezitë me teme afrikane. Si “Në ëndrrën e gruas së zezë”, “Dielli i zi”, “Para lulëzimit të luleflakës”.

Mbrëmë toka qante
E thatë e plasaritur si pogaçe e rreshkur
Mbrëmë frynin erëra shkretëtire
Oqeani i zhveshi dhe grisi këmishët blu
Vetëm qielli mbeti i qetë, bosh

Përpara se të analizojmë shkrimtarin shumë të njohur Matej Matevski deshëm të theksojmë se poezia maqedonase në këtë antologji, nëpërmjet ligjërimit poetik gjithmonë i jep vendin e duhur kohës dhe hapësirës.

Mateja Matevski

Mateja Matevski thekson:

Kumbon diku, në largësi tretur
Tingujt janë valë reje
Nëpër barishta ndjekur
Papushim ashpër dhe butë
Kumbon diku
Përplasen brigjeve të hekurt…

Mateja Matevski është në fakt një poet i shquar. Simboli i xixëllonjës përshkruan tej e tej artin e tij poetik.

Ajo më shfaqet në mbrëmjen e bruztë
Kur jetohet në errësirë mes vetmisë së thellë
Ateherë kur gjithçka është zvogëluar në kokrrën e kozmosit
Që nuk mbin në acar që nuk rritet në kafkë
Toka vuan nën gurin e qetësisë.

Këto thuhen tek “Shfaqja e xixëllonjës”. Ndërsa tek “Duke kërkuar xixëllonjën” tregohet forca e xixëllonjës si një dritë kundër errësirës, një dritëz e cila sado e vogël qoftë i ka të gjitha forcat dhe mundësitë për ta mposhtur errësirën.

Pas tyre do të mbetet matka e marrë e xixëllonjave
Dhe pluhuri i ëndërrimeve tona
Mbi lëvizjen e përpiktë mbi orbitën e dritës
Që nuk ekziston deri sa ekziston
Dhe që është derisa nuk është
Xixëllonja është një motor poetik i këtij poeti

Gane Todorovski është një nga zërat më karakteristik të poezisë maqedonase. Të gjitha poezitë e tij në këtë antologji si: “Hapi i qete”, “Monolog i llahtarshëm”, “Këngë e tejdukshme për njeriun me lëkurë të tejdukshme”, “Manaferra”, “Nokturn”, “Kontribut për sinonimin e Ema Germoves” janë të bukur.

Gane Todorovski

Por poezia “Manaferrat” është një brilant poetik:

Manaferrë moj, lot perëndie
Kuq e zi martire e tokës
Mbrojtëse e verës
Me ferra që të kanë rrethuar…
…Le të gërvishtet ai që do të të rrëmbejë
Le t’i dhëmbë atij që nuk di të lutet
Le të vuajë ai që s’do të mund ta kuptojë…
…Deri tek kënaqësia dhe yjet
Rruga është me gjemba….

E tërë poezia “Manaferrat” është një simbol.

Ante Popovski në ciklin e tij poetik e përmbledh Maqedoninë në disa vargje të frymëzuara:

Qe kjo tokë e thjeshtë prej guri dyfytyrësh dhe dielli…
…O tokë e thjeshtë prej ngërçi dhe pritjeje

A pra, në këtë cikël cilësor poetik Ante Popovski duke trajtuar historinë e lashtë dhe imagjinatën, ka dhënë një nga poezitë më të bukura të librit të titulluar “Urdhri i fundit i Adrianit”.

Ante Popovski

Ah, ju romakët e mi, ah ju legjionet e mia romake
Kaq shekuj këtu asgjë nuk mësuat
Nga fshatarët e provincave maqedone
Ata njerëz të vrazhdë dhe të thatë që nuk tronditen
Nga historia por e krijojnë atë…

Poetët në këtë antologji si në një mozaik plotësojnë njëri-tjetrin, plotësojnë një tablo të madhe të pafund, me të gjitha ngjyrat. Dhe megjithatë jeta është e vështirë plot halle: Jovan Kotevski në poezinë e tij “Kurbetçinjtë” shkruan:

Jovan Koteski

Disa kanë thënë:
Nuk do të kthehen ata që shkuan
Por edhe ata që u kthyen
Me tokën u rropatën
Dhe mallkuan nënën e tyre.

Poezia sociale është e ndjeshme tek ky poet i frymëzuar nga jeta. Tek poezia “Frutat” ai shkruan:

Tek ne nuk rriten ullinjtë
As shegë madje nuk ka
Skuqet ndonjëherë rrushi
Gjë e shtrenjtë për zogjtë dhe fëmijët
Por prandaj është i fortë murrizi
Dhe shtara ka sa për dy tre shekuj
Dhe pelis ka dhe borzilok…

Tek një cikël vjershash të mrekullueshme kushtuar Denicijas Petre M. Andrevski i thur një himn të pavdekshëm dashurisë, e çon atë në altar, i ngre asaj një Tempull, i vë një unazë diellore.

Petre M. Andrevski

Kur e dashuroja denicijan
Më bëhej sikur shartoja dritën me terrin
Si të shkrija akuj duke lëvruar
Si të behesha i vetmi dëshmitar
I puthjes midis metalit dhe rrufesë.

Kjo poemë dashurie me kapituj të tillë si “Denicija”, “Denicija- Këngë për këngën time”, “Kur dashuroja Denicijan”, “Letra e dytë”, “Denicija pasi u largove” janë në fakt edhe një kredo poetike:

Përballu burrërisht moj erë, tellalli im
Fluturo mbi zërin tënd ti zog, ti bubullimë
Dhe përçoni anë e mbanë këngën e këngës sime…
Bëhuni vajtojcat e mija
Ju moterzimet e mundimshme

Të spikatur janë edhe dy ciklet poetike të dy poetëve Vlada Urusheviq dhe Danica Rucigaj. Të arrira janë sidomos poezitë e peizazhit. Vlada Urusheviq tek poezia “Ohri” shprehet me ngjyrat e një peneli:

Vlada Urosheviq

Peizazhi shkruhet nga e verdha në befasi. Nga ëndrra tek grija, ngjyra e gurit.

I nxirë nga dielli
Deri sa era e krijon aromën e bimës së tretur

Ndërsa Danica Rucigaj në peizazhin e saj njerëzor “Gruaja” këndon:

Tokë jam
Frymëmarrjen tënde sillma
Si erë jugu të ngrohtë
Do ta pi pranverën tënde
Të më pllenojë
E kërkoi pëshpërimën tënde
Për ta ndjerë qiellin…

Shumë nga poetët maqedonas e kanë parë dhe e shohin poezinë si një dialog brezash, kulturash, dashurish, dehje mendimesh.

Tek “Daullja” Petar Boshkovski kumton:

Petar Boshkovski

Na kumbon nëpër damarë
Dhe na mbledh të gjithëve
…Zëri yt
Na çliroi të na flasë gjaku…
Na zbuloi bukurinë e shpirtit
Me fuqinë shëruese

Ndërsa Jovan Pavlovski tek poezia e tij “Kudo mëndja megjithatë” këndon:

Jovan Pavlovski

Kur do mendoi megjithatë
E pamundshmja në jetë është e mundur
Lidhet prej imtësish duke parë qartë
Se gjithçka të bënte tek mohimi vetë
Tek harxhon
Deri sa shpirti i tij
Shndërrohej nga erdhi në luleshpatë

Ky shndërrim i vazhdueshëm nga stina në stinë, nga viti në vit është jeta…

Ndonjëherë një detaj fare i vogël, një çast dhe pas kësaj lind një motiv poetik si shkëndijë elektrike që ndez një zjarr të madh.

Kështu ndodh me poezinë e Trajan Petrovskit: Një çast në tregun e Ohrit jep një poezi të përkryer:

Trajan Petrovski

Një grua qëndron para tezgës
Në tregun e Ohrit
Shet një grusht ara
Aq
Po të jenë gunga
Thelpinjtë janë të shëndoshë
Rrëfen gruaja:
Kam zbritur nga lart
Nga çardakët e qiellit
Nga kodrat
T’u afrojë ëmbëlsinë…

Edhe poeti ka zbritur nga lartë, nga çardakët e qiellit dhe si thelpinj të shëndoshë arre sjell këto vargje.

Lira poetike e poetëve pjesëmarrës në këtë antologji e ka marrë ushqimin e saj nga folklori i pasur maqedonas, nga këngët dhe vallet popullore, nga përrallat dhe legjendat. Kujtimet po ashtu janë burim i brumit poetik.

Svetllana Hristo Josiq shkruan tek poezia “Kulla”

Po i takuat ustallarët
Që i farkëtuan gozhdët e mjegullës
Po i patë minatorët
Që i thurën plitharët me hije uji
…U thoni
Rreze agimi mora prej freri

Individualiteti poetik i çdo autori ka të përbashkët këtë mbështetje tek folklori i pasur maqedonas që rrezaton vitalitet dhe figura jetësore.

Në antologjinë e poezisë maqedonase ka shumë vjersha që të mbeten me mendje e padyshim një nga ato është “Balda për gjarprin e shtëpisë” shkruar nga Petre Bakevski.

Petre Bakevski

Duke u ndalur në një besëtyni popullore se çdo shtëpi ka gjarprin e shtëpisë që e ruan nga e liga, autori ka ngritur një poezi midis realitetit, kujtesës dhe legjendës.

Ai jeton me ne
Netët tona janë edhe të tijat
Në ëndrrën që regjistronim
Me përralla të rrëfyera
Nga shkëndija e pakapshme e imagjinatës…

Ai e përfytyron të gjallë gjarprin e shtëpisë, në lëvizje, në dinamikë, si pjesë e jetës së përditshme, dhe si të tillë edhe pjesë të historisë.

Kur e braktisëm shtëpinë
Askush nuk e kujtoi gjarprin e shtëpisë
Mua m’u duk
Se dy sy mbi çati lotonin…

…Antologji e poezisë maqedonase hartuar nga Gane Todorovski dhe shqipëruar nga origjinali nga Resul Shabani, botuar nga shtëpia botuese “Onufri” është një ngjarje e shënuar kulturore artistike.

Në këtë antologji shpalosen me realizëm dhe magji burime të freskëta dhe të nxehta poetike, lule që kalojnë nga populli maqedonas tek populli shqiptar si shenjë e fqinjësisë së mirë e miqësisë. Në këtë antologji shohim me kënaqësi prurje cilësore poetike si dhe mesazhe paqeje dhe mirëkuptimi.

Poetët maqedonas ashtu si gjithë poetët ballkanik janë të lidhur ngushtë me fatet e vendit të tyre në veçanti dhe të Europës në përgjithësi ku ata duan të integrohen. Dhe poetët janë nga qytetarët e parë që sjellin këtë integrim në qytetërimin europian.

Antologjia e poezisë maqedonase, botuar në shqip nga shtëpia botuese “Onufri” mbyllet me poeteshën Aleksandra Nikolova dhe pikërisht me poezinë e bukur “Teatri”.

Me vete bart dramë
Si foshnjën në bark
Ti që moti ke interpretuar Shekspirin dhe Çehovin
Jeta do të falë
Që skenën e ke pa dërrasa

Në skenën tonë ballkanike gjithmonë historia ka falur drama të përgjakura në përpjekjet e pareshtura për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar.

U trondit shekulli
Vrasje, përdhunime
Gjithçka ke bërë
Apo të kanë bërë
Njëlloj në mërgim do të çojnë

Në këtë teatër nuk ka as prolog dhe as epilog, as fillim, as fund. Vetë pafundësia dhe përjetësia janë në këtë teatër.

Ankth i kuq me perde kadife
Skicë jete
Refleks i personazhit që po piqet
Të interpretojë njeriun
Shfaqje e qartë, tingulli dhe muzikë folklorike
Pa tekst dhe pa replikë…

…Dielli del, dritat ndizen në skenën e madhe të teatrit të jetës, skenografia plot e përplot ngjyra e nuance dhe miliona personazhe vërshojnë…