POLIEDRIKUT NAZIF DOKLE (PERKUJTIMORE) (1945-2014)

Shhkruan: Nevruz Mehmeti

(Atje ku dëgjon një këngë, ndalu e dëgjoje. Njerëzit e këqinj nuk kanë kënge. Tuje ke qe çujesh jena pesna, zastani i posllushaj. Lloshi lugji nemaje pesna.)

(KUSHTUAR AKADEMIKUT NAZIF DOKLE, me rastin e dhënies së titullit “NDER I QARKUT KUKËS” (post mortum) më datë 10.12.2022.

Nuk desha që të binte sërish dëbore, si atë ditë, kur, pa na thënë lamtumirën e fundit, na u largove nga kjo botë! Nuk desha që të ishte ftohtë siç na lë ftohtësi në shpirtin tonë, profesor!

Nuk deshëm ta besonim e as nuk e besojmë atë fjalë të mbramë, se Nazifi iku mes bjeshkëve të Sharrit madhështor në kërkim….

Po ne besojmë se bredh me shpirtin tënd, hipur mbi këngët e vargjet gorane, në lulet e shelgut të Shëngjergjit, freskohet në ujërat e kthjellta të bjeshkëve të Sharrit, kolovitet te qershia e Bërces, frymon tek jehona e oshëtimës: De-de -ri ori borjanko, i-hu-hu!

Jeton sot e përgjithnjë në vendlindjen e tij, Borjen, panoramë idilike e shpirtit të tij, aty ku dielli lind 3 herë e hëna 4. Shpirti i tij i shoqëron lindjet e perëndimet e diellit e hënës në heshtje duke dëgjuar këngën e vashave në buzëmbrëmje e gjatë gjithë ditës:

Hajt more Kurto budalla
I ovja Gjuren ne dojde
Letujeqi dusha mi izgore
Zashto za Gjuren ne dojde
Dertoji da ti iskazhem
Ka som se vamo muçilla
Decava da gi porastem.

(Hajt more Kurt i dashur
Dhe këtë Shëngjergj nuk erdhe
Mërgimi ma thau shpirtin
Pse s’erdhe këtë Shëngjergj
Hallet krejt t’i tregoj
Mundimshëm si jam munduar
Fëmijët të t’i rris)

Nazifi mbetet Mohikani i Bogomileve, (frazë e gazetarit të mirenjohur Raif Kasi) shumë i thjeshtë në jetë, pa u kuptuar si jetonte, pa u ndier, me misione pa fund mbi kurriz, shumicën e të cilave i kreu me nder e krenari.

Na la amanet një pasuri kolosale në të gjitha fushat ashtu siç lënë koloset e mendimit e krijimit.
Në heshtje na la amanetin ta ruajmë e ta trashëgojmë traditën e kulturën tonë e tua përcjellim brezave ashtu të virgjër larg ndikimeve globaliste të sotme.

Nazifi jetoi në Kukës fizikisht po kërkimet e tij i nis nga Borja, Gjallica-Olimpi ynë, Pirenejt, Rodopet, bjeshkët e Sharrit, në kërkim të gjurmëve të bogomilit të fundit.

Ai i përket njërëzve të pavdekshëm, njeriu që sfidoi kohën në kohën e pakohë si historian, mësues, piktor, skulptor, etnolog, etnograf, gjuhëtar, muzikolog, regjisor, skenarist, foklorist, poet, studiues, gazetar, etj me një fjalë poliedrik.

Kështu e shkroi përjetësinë e tij! Fama e tij kapërceu kufijtë e Shqipërisë, të Ballkanit, të Evropës se vete jeta dhe shtrirja e Gorës dhe goranëve në 3 shtete Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, dhe të jetuarit e të punuarit e tyre në gjithë shtetet e botës ku me duart e tyre të arta ndërtuan jetesën e tyre, është shtrirje e pakufishme.

Nazifi i mblodhi, i studioi, i botoi gjithë ciklin e jetës borjane dhe gorane: lindjen, fejesën, martesën, vdekjen, natyrën, këngën, vallen, nibetin, luftën për jetese e mbijetese dhe gjithcka e në fund kësaj torte gjigande i vuri qershinë: Fjalorin GORANÇE -SHQIP! Lakmi e akademive më të njohura.

Ai e lidh pazgjidhmërisht Gorën me Lumën, me Hasin, me Mirditën etj me Ballkanin e më tej.

Ai i ndërgjegjësoi të gjithë për të qenë të vetëdijshëm se cilët janë e të flasin gjuhën e vet pa frikë e mundime.

Vepra e tij është e ëmbël dhe nuk krijoi armiq po vetëm ziliqarë.

Nësë Orfeu i Rodopeve këndoi me lirën e tij Euridikës, gruas me të cilin u dashurua marrezisht, NAZIFI-ORFEU YNË I SHARRIT MADHËSHTOR, u dashurua pas misionit:

Nga jemi ,,cilet jemi e pse jemi në këtë shtrirje?
Nuk u bë Narcis po këngë e bukur në buzët e të gjithëve.

Orfeun e Rodopeve e vranë gratë trake pse nuk ua përfilli dashurinë e tyre, ORFEUN NAZIF na e vranë malet e Sharrit, nimfat e zanat e Gorës, meloditë e kavallit e sharkisë, e vrau fati i Gores dhe goranit, shelgu i Shëngjergjit, gjurma e bogomilit.

Sot është ftohtë si dikur para 8 viteve.

Qajnë bjeshkët e Sharrit zbardhur nga bora të cilat ia shkrumbuan zemrën e shpirtin.

Proklet Bedo, bedno bedosana
Ka mi go pobari serce
Ka mi go ugasna sence
Ne li ti stasa nebo vedrina
Oh Bozhence!
Ja sirota!
Ostana bez pllanina.

(Bedë e mallkuar, mallkim i mallkuar
Si ma zhurite zemrën!
Si ma fike diellin!
S’të mjaftoi kthjelltësia e qiellit?
Oh o zot!
Unë i shkreti
Mbeta pa bjeshkë!

E kush ju tha se ka vdekur Nazifi! Mos e besoni! Ai është brenda këngës, në degët e gjera të shelgut.

Kërkojeni brenda librave që na la, brenda veprës amanet!

Nazifi është filozof dhe të duhet shumë punë ta kuptosh!

Duhet të endesh mal me mal, kodër pas kodre, emër pas emri, varg pas vargu, melodi pas melodije, ngjyrë pas ngjyre, fjalë pas fjale që ta ndiesh shpirtin e mendimin e të pavdekshmit Nazif!

Miku ynë dhe i të gjithëve, u prehsh i qetë në tokën qe e deshe dhe të deshi kaq shume!

Qofsh i paharruar!