Fajala e deputetit Vasil Sterjovski në Kuvend në seancën plenare e datës 09 tetor 2019.
I nderuar Kryetar i Kuvendit
Të nderuar deputet
Në emër të partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian dhe me kërkesë të Maqedonasve nga zona e Gollobërdës, në Qarkun e Dibrës, sot dua të shprehë shqetësimin për funksionimin e pikës kufitare Trebisht-Xhepisht midis Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Pas një kërkese të gjatë, nga banorët e të dy anëve të kufirit dhe falë lobimit të partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian me qeverinë shqiptare dhe maqedonase në vitin 2013, u hap pika kufitare Trebisht-Xhepisht.
Kjo pikë kufitare është me karakter lokal, me kontroll të përbashkët policor dhe vetëm banorët e rajonit kufitar të të dy vendeve mund të kalojnë këtu. Pika kufitare punonë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 8 të darkës në verë dhe nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 6 pas dite në dimër.
Kjo pikë kufitare justifikoi pritjen se do të lehtësonte jetën e Maqedonasve në zonë e Gollobërdës dhe do të kontribuonte në zhvillimin e zonës së Gollobërdës, veçanërisht në njësinë administrative Trebisht. Që nga hapja e kësaj pike kufitare asnjë familje nuk është shpërngulur nga Trebishti. Këtu Maqedonasit kanë filluar ti rinovojnë shtëpitë dhe të ndërtojnë shtëpi të reja.
Përfitimi më i madh që maqedonasit nga Gollobërda kanë nga këtë pikë kufitare është veçanërisht në dimër kur zona e Gollobërdës bllokohet me muaj të tërë për shkak të dëborës dhe për shkak të rrjetit rrugor tejet i amortizuar, pa rrugë të asfaltuara komunikimi me Bulqizën është shumë i vështirë. Atëher Maqedonasit e kanë shumë më të lehtë, vetëm 15 km larg, të bëjnë pazar dhe të kurohen në Dibër të Maqedonisë.
Një problem tjetër për maqedonasit në zonën e Gollobërdës është se ky kalim është me karakter lokal vetëm për banorët e rajonit kufitar të të dy vendeve. Maqedonasit që sot jetojnë në Gollobërdë por kan lindur jashtë zonës së Gollobërdës dhe në pashaportë e kanë të shënuar vendlindjen si në qytetet e Elbasanit, Librazhdit ose Tiranës, nuk mund të kalojnë në këtë pikë kufitare. Ky problem do të zgjidhet kur kjo pikë kufitare nga pikë kufitare lokale e kategorisë së tretë, të kalojë në pikë kufitare rajonale e kategorisë së dytë!
Të nderuar deputet
Në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë e mbajtur në Pogradec, më 15 dhjetor 2017, u vendos pika kufitare Trebisht-Xhepisht të punojë 24 orë. Fatkeqësisht, ky vendim ende nuk është zbatuar.
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë që të bëjnë të mundur kjo pikë kufitare sa më shpejtë të punojë 24 orë dhe nga pikë kufitare lokale e kategorisë së tretë, të kalojë në pikë kufitare rajonale e kategorisë së dytë! Kjo do të ndihmojë ekonomikisht popullsinë e Gollobërdës, pasi do të rrisë bashkëpunimin ekonomik midis banorëve në të dy anët e kufirit, do të forcojë ekonomikisht dhe do të zhvillojë këtë zonë si një e tërë. (Makedonium)