Konferenca shkencore “80 vjet arsim në gjuhën amtare maqedonase në Shqipëri”

Në Universitetin “Fan S. Noli” zhvilloi punimet konferenca shkencore “80 Vjet Arsim në Gjuhën Amtare Maqedonase në Shqipëri”, e cila erdhi si një bashkorganizim i Universitetit “Fan S. Noli” me Shoqatën Maqedonase “SONCE” dhe me Rrjetin për Promovimin e Diversitetit Linguistik, Bruksel.

Seancën plenare e hapi përgjegjësi i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, prof. as. dr. Eris Rusi, ndërsa më pas përshëndetën të pranishmit rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi, prof. as. dr. Jonela Spaho dekan i FEF, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Korçë, z. Erion Nexhipi, si dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Tregtisë i Republikës së Maqedonisë, z. Zoran Dimitrovski.

Gjithashtu, përshëndeti të pranishmit edhe Msc. Vasil Sterjovski, i cili referoi edhe temën kryesore në këtë seancë plenare “Sfidat e mësimit të gjuhës amtare maqedonase në Shqipëri 1944-2024″.

Konferenca shkencore i vijoi punimet me paraqitjen e rreth 16 referimeve të përgatitura nga akademikë, mësues e studiues nga të dy vendet.

Temat e trajtuara sollën studime të ndryshme në lidhje me mësuesit maqedonas në Shqipëri në vitet 1944-1948, kontributin e Sterjo Spasses në redaktimin e teksteve në gjuhën shqipe dhe maqedonase, refleksione në përvjetorin e 80-të për mësimin e gjuhës maqedonase në Shqipëri, kontributi i Nikolla Berovskit, Boris Malevskit dhe Fote Nikollës në mësimin e gjuhës maqedonase, dialektet maqedonase në zonat e Gorës dhe Gollobordës, mësimin e gjuhës maqedonase në fshatin Vërnik, lidhja midis letërsisë shqipe dhe asaj maqedonase, promovimi dhe ruajtja e gjuhës maqedonase dhe identitetit kulturor te maqedonasit etnikë në Shqipëri etj.

©Makedonium