SHPELLA E SHËN MËRISË NË GLLUBOKO TË PRESPËS

“Shpella e Shën Mërisë” (Bogorica) në Glluboko gjendet në bregun verior të Liqenit të Prespës, në lindje të katundit Tuminec. Shpella ka dy zgavra natyrore. Njera është paraklisi dhe tjetra ka qenë banesa e eremitit. Paraklisi ka përmasa 3.17×2.10 metra dhe i përket shekullit XIII.

Faqet perëndimore dhe veriore janë shkëmbore, ndërsa faqet lindore dhe jugore janë prej muresh të ndërtuar me gurë ranorë, të lidhur me baltë. Hyrja për në paraklis bëhet me anën e një dere në anën perëndimore të murit jugor. Kunga e paraklisit ndahet nga naosi me anën e një ikonostasi prej druri të stolisur me motive gjeometrike. Në nikën e rrafshtë të harkuar nga sipër gjendet “Shën Mëria e tipit Oranta”, ndërsa poshtë në faqen e jashtme të paraklisit mbi një nikë tjetër është pikturuar “Shën Mëria Glikofilusa”.

Nën pikturën e “Shën Mërisë”, pranë portës së shpellës gjendet një mbishkrim: Ανηστωριθη (η) θεια πυλη υπερενδο(ξου Θεοτοκου παρα του αμαρ) το-λου Παρθενιου και της συνο / διας ημον πασης. Ο Θ(εο)σ συνχορισι τους. Προεδοθησαν ιερεας (α0καματος ολως. Αλεξα(νδρος) / δια χιρος ταχα και μαθητου του Ιω(αννου) ζωγραφου. “U pikturua kjo portë hyjnore e së mbilavdëruarës Hyjlindëses nga mëkatar Partheni dhe nga e gjithë shoqëria jonë. Perëndia i ndjeftë priftërinjtë që të parë iu përpoqën me të gjitha forcat pa u lodhur. Me dorën e Aleksit, gjithashtu nxënës i Jan Zografit”. Në këtë rast piktor Aleksi na prezantohet si nxënës i Jan Zografit themeluesit të Shkollës Ikonografike të Prilepit.

Në mbishkrimin që ndodhet mbi portën jugore të shpellës kemi: Ανηστιριθη ο (θειος) και πανσεπτος ναος ουτος της υπεραγιας Θ(εοτο)κου / εκ βαθρου κοπου τε κ(αι) εξοδου του π(αν)οσιωτ(α)του παρθενιου (μον)αχ(ου) ιγου / μενευοντος του πανοσιωτ(α)του παγησηου ιερο(μον)αχ(ου) και κτητορος. “U pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar i së mbishenjtës Hyjlindëses që nga themeli me përpjekjet dhe shpenzimet e gjithoshënarit murg Parthenit, në kohën kur ishte igumen gjithoshënar, jeromonak Paisi, ktitori”.

Nga ky mbishkrim del se eremit Partheni ka asketuar në shpellë dhe e ka ngritur vetë atë që nga themeli. Gjithashtu Partheni ka bërë edhe pikturat murale të shpellës me ndihmën materiale, që i ka dhënë ktitor Paisi. Ky i fundit ka qenë igumen i ndonjë manastiri aty pranë, në juridiksionin e të cilit ishte murg Partheni. Nëpër faqet e suvatuara të shkëmbit gjenden këto afreske.

Në apsidë është “Platitera” e tipit Oranta në gjysmëfigurë pa Emanuelin. Anash apsidës gjendet skena e “Ungjillëzimit”, ndërsa në faqen e murit jugor në kungë skena e “Lindjes së Krishtit”. Në anën veriore gjendet skena e “Ipapandisë”, ndërsa në murin jugor skena e “Pagëzimit të Krishtit”. Vijojnë skenat “Ngjallja e Llazarit”, “Kryqëzimi i Krishtit”, “Vajtimi i mbivarrshëm”, “Guri”, “Ngjallja” dhe “Shestja”. Në brezin e poshtëm paraqiten shenjtorët: Në nikën e prothesit është “Shën Stefani” dhe në nikën e dhiakonikonit “Roman Melodiozi”. Në faqet anësorë gjenden: “Joan Gojarti”, “Vasili i Madh”, “Shën e Diela”, “Shën Kostandini dhe Elena”, “Shën e Premtja”, “Shën Aleksandri”, “Shën Mitri”, “Shën Gjergji”, “Shën Kolli”, “Shën Nestori” dhe “Shën Prokopi”.

Andre Llukani