Përgatitjet për aktivitetet e ardhshme të kursit të gjuhës maqedonase në Tiranë

Sot në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, ambasadori maqedonas Danço Markovski inicioi një takim pune me Dekanen prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Zv. Dekanen për bashkëpunim ndërkombëtar prof. Dr. Drita Rira dhe pedagogen e gjuhës maqedonase prof. Slavica Sviderska.

Në takim u shqyrtuan aktivitetet e deritanishme të kursit të gjuhës maqedonase nga hapja e tij, rezultatet e arritura dhe projektet e ardhshme për vitin e ri akademik. Dekania Kromidha e vlerësoi shumë pozitivisht punën e kursit, duke theksuar se ai përshtatet plotësisht në programin e Fakultetit së bashku me lëndët e tjera që po studiohen. Ajo shprehu kënaqësinë e saj për punën e pedagoges Sviderska dhe marrëdhëniet e drejtpërdrejta të vendosura me studentët.

Prof. Rira theksoi nevojën e vendosjes së menjëhershme të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me Fakultetin Filologjik të Universitetit „Shën Kiril dhe Metodi“, me qëllim organizimin e pjesëmarrjes në konferenca shkencore, shkëmbimin e profesorëve, realizimin e përbashkët të projekteve të ndryshme ndërkombëtare dhe evente të tjera me interes të përbashkët.

Pedagogia Sviderska prezantoi programin për vitin e ardhshëm në seksionin e ciklit të dytë në gjuhën maqedonase. Ajo iu referua veçanërisht projektit “Përdorimi i inteligjencës artificiale si instrument në përkthimin e teksteve” të propozuar nga studentët.

Ambasadori Markovski theksoi posaçërisht nevojën për krijimin e mundësive për promovimin e përkthyesve. Ai theksoi se gjendja aktuale e disa përkthyesve të gjuhës maqedonase është plotësisht e papranueshme. Bashkërisht është konstatuar se kjo duhet të ndryshojë në periudhën e ardhshme.

©Makedonium