Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) shpreh pakënaqësinë dhe shqetësimin për mosrespektimin e gjuhës maqedonase në aktivitetet publike në Bashkinë Pustec.
Aktiviteti i sotëm i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në Bashkinë Pustec, në shënimin e 24-vjetorit të themelimit të Parkut Kombëtar të Prespës, ku informacioni dhe banderola u prezantuan ekskluzivisht në gjuhën shqipe, paraqet mospërfillje të të drejtave gjuhësore të popullatës maqedonase në këtë zonë.
Bashkia Pustec është e banuar nga një popullsi 100% maqedonase, e cila zyrtarisht njihet nga shteti shqiptar dhe ku gjuha maqedonase njihet në mënyrë të barabartë dhe duhet të përdoret në kontekste zyrtare dhe publike. Injorimi i gjuhës maqedonase në aktivitetet zyrtare, veçanërisht në një rajon ku popullsia maqedonase përfaqëson një shumicë të konsiderueshme, është shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të tyre ligjore dhe të mbrojtura me kushtetutë.
Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Ligjin nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, kërkojmë nga të gjitha institucionet dhe organizatat që punojnë në territorin e Bashkisë Pustec të respektojnë, promovojnë dhe përdorin gjuhën maqedonase.
Gjithashtu, presim nga Bashkia Pustec të zbatojë masat e nevojshme për të siguruar që të gjitha aktivitetet në territorin e saj të reflektojnë të drejtat gjuhësore dhe veçoritë kulturore të komunitetit maqedonas, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga viti 2005. Me këtë Memorandum të fimosur midis Prefekturës së Korçës dhe Komunës Pustec “Për Bashkëpunimin në Fushën e Mbrojtjes dhe Respektimit të të Drejtave të Pakicave në Shqipëri”, në nëntor të vitit 2005, Komuna Pustec angazhohet të krijojë kushtet e përshtatshme, të marrë masa për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar kulturor dhe fetar të pakicës maqedonase, nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme lidhur me historinë, kulturën e pakicës kombëtare maqedonase në Komunën Pustec, Qarku Korçë etj.
Në emër të diversitetit kulturor dhe gjuhësor, apelojmë për veprim të menjëhershëm dhe vendimtar për të mbrojtur dhe respektuar të drejtat e komunitetit maqedonas në Bashkinë Pustec, të cilat janë baza e vlerave demokratike dhe e integrimit evropian të këtij rajoni.