Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, (AMIE) parti që përfaqëson maqedonasit në Shqipëri, i dërgoi shkresë kryeministrit Edi Rama, në të cilën rithekson shqetësimin e vazhdueshëm për komunitetin maqedonas në Shqipëri, i cili “përballet me përpjekjet e vazhdueshme të autoriteteve bullgare për asimilimin e tij, duke përfituar nga anëtarësimi i Bullgarisë në Bashkimin Europian”.
– Autoritetet bullgare përdorin mjete dhe metoda të ndryshme për të asimiluar komunitetin maqedonas në Shqipëri dhe krijimin i një komuniteti bullgar inekzistent. Një shembull i dukshëm është aktiviteti i fondacionit “Kujtesa Bullgare” dhe presidenti i tij, Milan Vrabevski nga Bullgaria. I mbështetur nga struktura të ndryshme bullgare, ky fondacion po korrupton zyrtarët shqiptarë përmes donacioneve, me qëllim asimilimin e maqedonasve në Shqipëri, thuhet në shkresën e AMIE-së.
Shtohet se ky fondacion shkruan vazhdimisht se ka meritën kryesore për nisjen dhe organizimin e të gjithë procesit për njohjen e minoritetit bullgar në Shqipëri në vitin 2017.
– Ky fakt flet vetë për përfshirjen e fondacionit në korruptimin e autoriteteve shqiptare. Me kalimin e viteve, ky fondacion ka krijuar një rrjet brenda Shqipërisë, duke depërtuar në institucione të ndryshme për të çuar përpara axhendën e tyre për asimilimin e komunitetit maqedonas. Ky rrjet, i financuar nga fondacioni “Kujtesa Bullgare”, është i implikuar në biznesin me pasaportat bullgare në Shqipëri, thuhet më tej.
Siç dihet tashmë për autoritetet por edhe për mbarë publikun shqiptar, theksohet në shkresën, në dy vitet e fundit në Shqipëri, autoritetet vendore për para, kanë lëshuar vërtetime të paligjshme për origjinë bullgare për të gjithë shtetasit shqiptarë që aplikojnë për pasaport bullgare për të përdorur privilegjet e BE-së.
Falë televizionit Top Channel dhe emisionit “Fiks Fare”, deklaron partia, u vërtetua se vetëm Bashkia Bulqizë ka lëshuar mijëra vërtetime të tilla të paligjshme. Megjithë veprimet ndaj zyrtarëve në Bashkinë Bulqizë, kjo praktikë korruptive e dhënies së paligjshme të vërtetimeve për origjinë bullgare vijon e papenguar edhe në bashkitë e tjera të Shqipërisë, të kontrolluara nga rrjeti i fondacionit “Kujtesa Bullgare”.
Për më tepër, sipas AMIE, ky rrjet ka ndikuar në censusin e fundit të popullsisë në Shqipëri, me instalimin e anketuesve në zonat me minoritet maqedonas dhe për ushtrimin e presioneve, kërcënimeve dhe ryshfetit për të detyruar qytetarët shqiptar të deklarojnë përkatësinë etnike bullgare.
– Një nga masat e fondacionit “Kujtesa Bullgare” për korruptimin e zyrtarëve shqiptarë dhe për asimilimin e maqedonasve në Shqipëri, përveç biznesit me pasaporta bullgare dhe vërtetimeve të paligjshme për origjinën bullgare, janë edhe donacionet e ndryshme që ky fondacion bën, me mbështetjen e ambasadës bullgare, në zonat e banuara me maqedonas në Shqipëri, duke i paraqitur ata si bullgarë dhe duke shkaktuar trazira të mëdha në komunitetin maqedonas, deklaron AMIE.
Në emër të maqedonasve në Shqipëri, partia i bënë thirrje autoriteteve shqiptare të ndërmarrin veprime vendimtare kundër këtij “rrjeti kriminal” që mbështetet nga fondacioni “Kujtesa Bullgare”. Kjo përfshin hetimin e rolit të tyre në census dhe lëshimin e paligjshëm të vërtetimeve të origjinës bullgare.
– Kërkojmë gjithashtu ndalimin e aktiviteteve dhe donacioneve nga fondacioni “Kujtesa Bullgare” në zonat ku jeton komuniteti maqedonas, duke i paraqitur si bullgar, pasi këto akte përbëjnë një ndërhyrje të rëndë në punët e brendshme të Shqipërisë dhe nxisin intolerancën etnike. Maqedonasit në Shqipëri janë qytetarë luajal, të cilët kontribuojnë për vendin përmes pagesave të rregullta të taksave. I bëjmë thirrje qeverisë që të investojë në zhvillimin e rajoneve ku jetojnë maqedonasit. Këto zona, ndër më të varfrat në Shqipëri, janë lënë pas dore prej mbi 30 vitesh, thuhet në shkresën.
Vlerësohet se investimi në zonat ku jeton komuniteti maqedonas është vendimtar për “përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës dhe parandalimin e bashkëqytetarëve tanë që të bien viktimë e tentativave të mohimit dhe asimilimit nga forcat e jashtme”.
E njëjta shkresë iu drejtua kreut të shtetit Bajram Begaj, disa ministrive, Avokatit të Popullit, Komisionit për Luftën kundër Diskriminimit, si dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Tiranë.
©Makedonium