Në kuadër të bashkëpunimit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës me Universitetin “Shën Kiril dhe Methodi” të Shkupit, Maqedoni, së shpejti në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja nisin kurset e gjuhës maqedonase, si lëndë ekstrakurrikulare, njoftoi Fakulteti në faqen zyrtare në internet.
Shtohet se këto kurse do të ofrohen pa pagesë për të gjithë studentët e Universitetit të Tiranës.
Mësimdhënia e gjuhës maqedonase do të kryhet nga profesorë maqedonas të Universitetit “Shën Kiril dhe Methodi” të Shkupit. Në fund të kursit, të gjithë studentët do të pajisen me certifikatën e nivelit përkatës.
– Programet ekstrakurrikulare të gjuhës së huaj janë një risi dhe mundësi më shumë për studentët e Universitetit të Tiranës dhe synojnë të ofrojnë një përvojë të pasur dhe të përkryer për të gjithë ju që dëshironi të thelloni njohuritë tuaja gjuhësore dhe kulturore, theksohet në njoftim.
Studentët e interesuar për të mësuar gjuhën maqedonase janë të lutur të shprehin interesin e tyre duke aplikuar në Google forms në linkun e mëposhtëm: https://forms.gle/KiLa89K27ENGUm6KA
Për çdo informacion të mëtejshëm mund të paraqiten në Qendrën e Kurseve të Gjuhëve të Huaja, Godina A, kati 1, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.
E hënë – E enjte 08:30 – 16:30 E premte 08:30 – 14:00 E-mail: qendra.gjuhevetehuaja@unitir.edu.al
Tel: +355 4 2452610
Adresa: Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, Rruga e “Elbasanit”,Tiranë
©Makedonium