AMIE dënon përpjekjet e eurodeputetit bullgar Kovaçev për t’i paraqitur maqedonasit në Gorë si bullgarë

Partia e maqedonasve në Shqipëri, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), ka reaguar për vizitën e eurodeputetit bullgar Andrej Kovaçev në zonën e Gorës, i cili, siç u bë e ditur, “po vizitonte bullgarët”.

Në reagim thuhet se dënon ashpër sjelljen e eurodeputetit bullgar Kovaçev dhe ambasadorit bullgar në Shqipëri, të cilët së bashku me diplomatë të tjerë të Ambasadës bullgare në Tiranë, duke bërë premtime të rreme për ndihmë nga fondet evropiane për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lëshimin e pasaportave bullgare, po përpiqen të bindin Maqedonasit në Gorë në Censusin e ardhshëm të popullsisë në shtator të këtij viti që të regjistrohen si bullgarë.

– Në zonën e Gorës nuk ka pakicë bullgare, por prej shekujsh këtu jetojnë maqedonas, të cilët janë krenarë për këtë. Në nëntë fshatrat në zonën e Gorës jetojnë maqedonas të besimit islam. Dhe në Censusin e fundit të vitit 2011 në zonën e Gorës u deklaruan si maqedonas, asnjëri prej tyre nuk u deklarua si bullgar, thuhet në reagim.

Shtohet se “Janë gdhendur përgjithmonë në kujtesën e banorëve të Gorës krimet bullgare gjatë pushtimit të zonës së Gorës nga Bullgaria në Luftën e Parë Botërore dhe gjenocidi që ushtria bullgare kreu ndaj maqedonasve në zonën e Gorës, duke vrarë mijëra prej tyre dhe duke përdhunuar shumë vajza të reja dhe gra”.

– Sipas fakteve historike, gjatë pushtimit të zonës së Gorës nga Bullgaria në Luftën e Parë Botërore, për shkak të politikave të Bullgarisë për bullgarizimin dhe ndryshimin e fesë së banorëve të zonës së Gorës dhe të izolimit, në zonën e Gorës vdisnin rreth 4000 njerëz në vit, kështu që nëpër fshatra nuk kishte kush t’i varroste kufomat.

Paraqitjen e maqedonasve nga Gora si bullgarë, pas 100 vjetësh nga krimet bullgare, nga eurodeputeti Andrej Kovaçev dhe diplomatët bullgarë e konsiderojmë si një perversion primitiv, një ndërhyrje të rëndë në punët e brendshme të Shqipërisë dhe kërkojmë nga autoritetet shqiptare që të mos dorëzohen para presioneve bullgare për anëtarësim në Bashkimin Evropian, thuhet më tej në reagim.

AMIE përcjell se banorët e zonës së Gorës presin falje zyrtare nga Bullgaria për krimet e kryera nga ushtria bullgare gjatë Luftës së Parë Botërore.

– I bëjmë thirrje Qeverisë shqiptare, ministrive dhe autoriteteve përkatëse, si dhe komunitetit ndërkombëtar në vendin tonë, që t’u përgjigjen këtyre aktiviteteve të përfaqësuesve bullgarë, ambasadës bullgare dhe Sofjes zyrtare, për shkak të shkeljes së parimeve të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe ndërhyrjen e hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë.

Kërkojmë nga Shqipëria të investojë në zhvillimin e zonave ku jetojnë maqedonasit, pasi ato janë zonat më të varfra në Shqipëri, të lënë pas dore për 30 vitet e fundit, për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të punës, thekson AMIE në reagim.

Nuk duhet të lejojmë, si shtet dhe shoqëri, për shkak të varfërisë, komuniteti maqedonas të bëhet viktimë të përpjekjeve për mohim dhe asimilim nga ana e Bullgarisë.

– Është detyrë e institucioneve të qeverisë që të mbrojnë bashkëqytetarët e tyre maqedonas nga agresioni bullgar, i cili me politikat dhe praktikat e tij kundër fqinjësisë së mirë, po ndërhyn rëndë në punët e brendshme të Republikës së Shqipërisë.

E gjithë kjo luftë e Sofjes nuk është një luftë për të drejtat e njeriut të disa bashkatdhetarëve të tyre që jetojnë në Shqipëri. Kjo është një luftë për realizimin e projektit rus të Bullgarisë së Madhe të Shën Stefanit, që përfshin edhe territore të Republikës së Shqipërsë, qëndron në fund të reagimit të partisë maqedonase, AMIE.

©Makedonium