Përfaqësuesja e komunitetit maqedonas në Shqipëri, në Komitetin për Pakicat Kombëtare, Marjana Kostofski, kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që maqedonasit për zgjedhjet lokale të ndërgjegjësohen në gjuhën e tyre amtare ku përqendrimi i tyre është më i madh.
-Në takimin që patëm, si përfaqësues të Komitetit, me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, e përshëndeta vendimin e KQZ-së për shtypjen e materialit edukativ zgjedhor në gjuhët e pakicave, përfshirë edhe në gjuhën maqedonase. Kërkova që fushata ndërgjegjësuese të mbahet edhe për maqedonasit në rajonet e tjera si në zonat e Gollobordës, Gorës, si dhe qytetet ku përqendrimi është më i lartë, tha Kostofski.
Ajo gjithashtu përshëndeti korrigjimin urgjent nga KQZ-ja të posterit edukativ ku komuniteti maqedonas në Shqipëri emërohej si “pakica kombëtare e Maqedonisë”. Pas vërejtjeve tona, shtoi ajo, menjëherë u bë korrigjimi dhe tani qëndron termi “pakicë kombëtare maqedonase”, siç njihet zyrtarisht në Shqipëri.
Siç njoftoi KQZ-ja në faqen e saj zyrtare, Celibashi diskutoi me përfaqësuesit e minoriteteve për “gjetjen e mjeteve dhe mënyrave më të mira për informimin dhe edukimin e minoriteteve në gjuhën e tyre amtare për çështjet zgjedhore”.
– KQZ-ja njeh dhe respekton plotësisht këtë të drejtë themelore të tyre. Shkalla e demokracisë në një vend dhe shkalla e zhvillimit të një shoqërie përcaktohen kryesisht nga mënyra se si ai vend dhe ajo shoqëri i trajton pakicat, tha ai.
Sipas Kostofskit, nënkryetari Sead Kazanjiu, i cili është përfaqësues i pakicës kombëtare rome, falënderoi në emër të Komitetit për takimin, i cili u zhvillua në një atmosferë të këndshme dhe konstruktive.
KQZ-ja për zgjedhjet vendore që do të mbahen më 14 maj, për herë të parë në historinë e proceseve zgjedhore në Shqipëri, miratoi një program të posaçëm për informimin dhe ndërgjegjësimin e zgjedhësve pjesëtarë të pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.
©Makedonium