Midis Shqipërisë dhe Maqedonisë është nënshkruar më 17 mars 2015 në Tiranë protokolli i bashkëpunimit kulturor. Ky dokument është firmosur nga Ministrja e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Elizabeta Kançevska – Milevska dhe homologia e saj shqiptare, Mirela Kumbaro. Dy ministret e kulturës ranë dakord edhe për përpilimin e një kalendari të përbashkët kulturor midis dy vendeve, në kuadër të një programi të bashkëpunimi 2015 – 2020.
Gjatë vizitës së saj në Shqipëri Milevska dhe delegacioni që e shoqëron ka patur një takim me ministren Kumbaro në ambientet e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Temë e diskutimit ishte edhe krijimi i ekipit të përbashkët për vlerësimin dhe restaurimin e ndërtesës së Kongresit të Manastirit, krijimi i një kalendari vjetor të përbashkët aktivitetesh kulturore dhe krijimi i një bërthame për hartimin e projekteve kulturore me impakt rajonal dhe financim ndërkombëtar (IPA).
Në përfundim të takimeve Milevska dhe Kumbaro kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat. Kumbaro në fillim të fjalës së saj u shpreh se vizitën e parë si ministre kulture në 2013 e ka patur në Maqedoni konkretisht në shtëpinë e Kongresit të Manastirit, pra në shtëpinë e Alfabetit Shqip. “Sot kurorëzojmë një proces të nisur më herët për bashkëpunimin kulturore mes dy vendeve. Shkëmbimet kulturore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë janë ngjarje tashmë të njerëzve të kulturës. Gjatë diskutimeve tona kemi konstatuar se njerëzit e kulturës dhe artit ecin më shpejt se politika dhe administrata, me bashkëpunime dhe bashkëproduksione, etj. Vetëm në fushën e filmit kemi dy filma që janë një bashkëpunim mes dy vendeve dhe gjithashtu kemi botime të përbashkëta”- ka deklaruar Kumbaro.
Sipas Ministres së Kulturës të Shqipërisë, një tjetër aksion që synojnë dy ministritë ta fillojnë këtë vit që ajo vlerëson se do të mirëpritet shumë në të dy anët e kufirit është projekti për restaurimin e muzeut të Alfabetit në Manastir, ku një ekip i përbashkët do të punojnë këtë vit për hartimin e një projekti të përbashkët. Kumbaro në fjalën e saj tha se bashkëpunimi në fushën e kulturës midis dy shteteve tona është shumë i mirë, madje më i suksesshëm se bashkëpunimi politik. Ministrja shqiptare bëri publik edhe një program të veçantë që është diskutuar për nxitjen e kulturës së Maqedonasve që jetojnë në Shqipëri.
“Fakt është që shkëmbimet kulturore midis Maqedonisë dhe Shqipërisë janë tashmë një ngjarje e njerëzve të kulturës. Njerëzit e artit dhe të kulturës ecin më shpejt se sa politika dhe administrata. Është projekti i përbashkët që duam të ndërtojmë për restaurimin dhe rijetëzimin e Muzueut të Alfabetit ose Shtëpisë së Kongresit në Manastir. Ne vumë në dukje vullnetin tonë të përbashkët për nxitjen e kulturës së pakicave maqedonase në Shqipëri nëpërmjet programeve të veçanta të Ministrisë së Kulturës,” tha Mirela Kumbaro.
Nga ana e saj edhe ministrja e Kulturës e Maqedonisë, Elizabeta Kançevska – Milevska, u shpreh mjaft e kënaqur për firmosjen e kësaj marrëveshjeje në fushën e kulturës, duke theksuar si shumë të rëndësishme, pjesën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Gjithashtu ministrja Milevska u ndal edhe në komunitetin shqiptar që jeton në Maqedoni duke thënë se multikulturalizmi është një vlerë për shtetin maqedonas.
“Kemi biseduar për projekte shumë të rëndësishme në të gjitha fushat, për të gjitha veprimtaritë nga fusha e kulturës, edhe në pjesën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, në pjesën e bashkëpunimit nga industria e filimit, edhe në teatër apo veprimtarinë e muzikës dhe folklorit. Deri më tani janë realizuar shumë projekte tonat të përbashkëta, Republika e Maqedonisë bën një përkujdesje të madhe për të gjithë komunitetet që jetojnë në shtetin tonë sepse multikulturalizmi është një pasuri shumë e madhe për Maqedoninë,” tha ministrja e Kulturës e Maqedonisë,” Elizabeta Kançevska – Milevska.
Ministrja e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Elizabeta Kançevska – Milevska u shpreh se ka informuar homologen saj shqiptare për investimet që janë bërë në Maqedoni në fushën e Kulturës, siç është rikonstruksioni në tërësi i teatrit shqiptar në Republikën e Maqedonisë, një investim ky që sipas saj është edhe në programin e qeverisë, që do të jetë në funksion të aktorëve shqiptarë. “Me ndërtimin e këtij teatri të ri dhe bibliotekës që do të funksionojë pranë këtij institucioni jepet një kontribut kulturologjik. Qeveria ka ndërtuar në Shkup një shtëpi përkujtimore në vendin ku më herët ka ekzistuar shtëpia e Nënë Terezës, që është financuar nga qeveria maqedonase dhe jemi krenar për një vepër të tillë. Kjo shtëpi ka një interes të madh nga turistët dhe vizitorët e ndryshëm”- deklaroi në fjalën e saj Ministrja e Kulturës së Maqedonisë, Elizabeta Kançevska – Milevska. (Makedonium)