STERJO SPASSE PËRSËRI NË GLLOBOÇENI

Në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të njohur me origjinë maqedonase Sterjo Spasse, më 14 gusht 2014 komuna e Pustecit vendosi bustin prej bronzi në fshatin e tij Glloboçeni, të Pustecit.

Në ceremoninë e zhvilluar në këtë përvjetor, ishin banor të zonës së Prespës, familjarë, shkrimtarë nga Shqipëria dhe Maqedonia, ambasadori maqedonas në Tiranë, deputetë të parlamentit maqedonas, miq dhe të njohur të shkrimtarit. Kjo vepër  është realizuar nga skulptorja Valentina Stefanovska.

Në përurimin e monumentit të Sterjo Spasses, foli  djali i tij Ilinden Spasse, i cili tha se Sterjo Spasse e donte shumë këtë zonë dhe vendosja e bustit prej bronzi është një nder i madh për figurën e Spasses.  Në këtë ceremoni folën edhe  kryetari i komunës së Pustecit, Edmond Themelko si dhe përfaqësuesi i Akademisë se Shkencave dhe Arteve  të Maqedonisë, akademiku Bllazhe Ristovski.

Monumentin e zbuluan kryetari i komunës së Pustecit dhe banori më i vjetër i fshatit Glloboçeni. Sterjo Spase ishte një nga shkrimtarët më në zë, dhe një prej urave lidhëse mes kombit shqiptar dhe atij maqedonas.

Menjëherë pas zbulimit të monumentit e Sterjo Spasses, në nder të tij, në Glloboçeni u mbajt Festivali  tradicional folklorik maqedonas “Prespë 2014” ku morrën pjesë grupet folklorike të Pustecit, Shulinit, Leska, Dolna Gorica dhe Tumineci.

Të pranishmit në Festivalin Folklorik Maqedonas “Prespa 2014” i përshëndesi kryetari i komunës Pustec, Edmond Themelko, ambasadori i Maqedonisë në Shqipëri, Stojan Karajanov, deputeti në parlamentin maqedonas Liljana Popovska, dhe Presidenti i Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov. (Makedonium)