Vërshimi i Karkalecit në komunën e Pustecit dhe alarmi i vazhdueshëm i banorëve, të cilët prej disa vitesh nuk mund të vjelin asnjë nga prodhimet e tyre kanë bërë që të vijë edhe reagimi i parë nga instancat përkatëse.
Ministria e bujqësisë ka hartuar një plan për spërkatjen e zonës me qëllim shfarosjen e karkalecit, i cili është kthyer në një mankth për banorët.
Një prej vatrave në fshatin Tuminec ka qenë ndalesa e parë e Ministrit, Edmond Panariti, i cili ka deklaruar se edhe këtë vit të mbjellat në këtë zonë janë nën rrezikun e insektit por “Strategjia jonë do të mbështet kryesisht te parandalimi, ne tani kemi të bëjmë me një infeksion të vendosur në këtë zonë. Nëpërmjet spërkatjes me një preparat i cili është shumë efektiv, por edhe miqësor ndaj mjedisit. Pasi ne duhet të bëjmë kujdes që të luftojmë insektet, por të mbrojmë edhe ambientin nga përdorimi i insekticideve që mund të kenë ndikim në mjedis. Ky preparat që përdoret është shumë miqësor ndaj mjedisit, është regjistruar në agjencinë amerikane të mjedisit”
Prej të paktën 4 vitesh banorët e fshatrave të Gorcës e Madhe dhe e Vogël dhe Tumineci të komunës Pustec nuk arrijnë të marrin asnjë prodhim si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga insekti. (Makedonium)