Naço – Karajanov: Shkëmbimin e eksperincës në fushën e drejtësisë ndërmjet dy vendeve

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, ka pritur në takim Ambasadorin e Republikes së Maqedonisë Stojan Karajanov. Ambasadori Karajanov e ka uruar për detyrën e re Ministrin Naço, duke nënvizuar se bashkëpunimi  shumë i mire mes dy vendeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në këtë takim të parë, Ministri Naço prezantoi prioritetet dhe objektivat e Ministrisë së Drejtësisë në reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë si dhe shkëmbimin e eksperincës në fushën e drejtësisë ndërmjet të dy vendeve tona.

Ambasadori Karajanov bëri një prezantim të përmbledhur të eksperiencës maqedonase lidhur me reformat në fushën e drejtësisë duke nënvizuar faktin se ato janë ndërmarrë në kuadrin e vendit kandidat për në BE.

Ministri Naço dhe Amb. Karajanov biseduan gjithashtu mbi thellimin e shkëmbimeve në fushën e  ekspertizës ligjore, me fokus të veçantë në procesin e integrimit evropian.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën qendrimin se marrja e statusit të vendit kandidat, brenda këtij viti, është i arritshëm për Shqipërinë, por njëkohësisht u theksua rëndësia për të vazhduar me reformat, veçanërisht përsa i përket shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërmjet të dy bashkëbiseduesve u parashtrua mundësia e një vizite të ndërsjelltë të dy Ministrave të Drejtësisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë në një të ardhme të afërt, si dhe forcimi në vazhdimësi i bashkëpunimit mes dy vendeve mbi bazat e të drejtës. (Makedonium)