Gruevski: Populli maqedonas nuk do të pranojë që të riemërohet

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka përjashtuar çdo mundësi për ndryshimin e emrit të shtetit në bisedimet me Greqinë. 

Ai ka thënë se Maqedonia është e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për kontestin “e imponuar nga Greqia”, por jo edhe të pranojë riemërtimin e popullit.

“Populli maqedonas kurrë nuk do të pranojë ndërrimin e emrit. Ne jemi të interesuar për zgjidhjen e kontestit dhe sinqerisht dëshirojmë një zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme, e balancuar dhe, ç’është më e rëndësishmja, e pranueshme nga të dyja palët. Nëse tani nuk zgjidhet ky kontest me Greqinë, atëherë ndonjë gjeneratë tjetër në rrethana më ndryshe mund ta zgjidhë, mirëpo personalisht konsideroj se ne nuk duhet t’i lëmë temat e nxehta për gjeneratat e ardhshme”, ka deklaruar Gruevski, duke u bërë thirrje Kombeve të Bashkuara për një angazhim më të madh në zgjidhjen e kontestit me Greqinë, i cili po mban të bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“OKB-ja  duhet të jetë e vetëdijshme për këtë situatë të pashpresë, që të ndihmojë me mekanizmat e vet që të arrihet një zgjidhje për zhbllokimin e perspektivave të vendit tim”, ka deklaruar Gruevski, i cili sot është takuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon. (Makedonium)