GSHDNJ: DEBIMI I ROMËVE NJË PREÇEDENT QË DUHET TË NDËRSHKOHET NGA ORGANET KOMPETENTE

Duke filluar prej datës 3 gusht 20113 e në vazhdim, 37 familje Rome që jetonin prej vitesh në disa baraka në afërsi të ish-uzinës “Enver” në Rrugën e Kavajës i janë nënshtruar dëbimit me forcë nga Mihal Delijorgji i cili është ndërtues i disa pallateve në këtë zonë. Persona të paidentifikuar kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike mbi banorët e minoritetit Rom. Rreth 130 qytetarë Romë detyrohen të zhvendosen nga strehimi i tyre dhe aktualisht kanë mbetur në mes të rrugës, të pastrehë dhe të uritur.

GSHDNJ po e ndjek me shqetësim ngjarjen dhe konstaton se veprimet e mësipërme përbëjnë një sjellje të kundraligjshme, të sanksionuar edhe në K.Penal në kuadrin e veprave penale të cënojnë jetën dhe integritetin fizik të shtetasive dhe paralelisht janë një shembull i qartë i cënimit  të të drejtave dhe lirive themelore.

Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut e konsideron dëbimin e komunitetit Rom të kësaj zone një akt të qartë diskriminimi që sjell si rezultat shkeljen e të drejtës për strehim dhe njëherazi rrezikon të drejtën për jetën të individëve të minoritetit Rom, të fëmijëve dhe grave.

Për fat të keq ky është një rast i përsëritur i diskriminimit ndaj minoritetit Rom, krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet shqiptare dhe sidomos në shkelje të ligjit Kundër Diskriminimit i aprovuar së fundmi nga Parlamenti shqiptar.

GSHDNJ i kërkon Bashkisë së Tiranës që të sqaroje çështjen e ndërtimit të pallatit në zonën ku pretendohet nga ndërtuesi Mihal Delijorgji dhe të mundësojë sa më shpejt kushte banimi alternative për Romët që janë larguar nga ky territor apo që janë të detyruar të kalojnë ditë dhe netë pa strehim dhe pa ushqim.

 

Gjithashtu i kërkon Bashkisë të fillojë sa më shpejt hartimin e strategjisë për strehimin e qytetarëve Romë që jetojnë në territore të tjera në kryeqytet dhe që shumë shpejt mund të gjenden pa strehë si rezultat i shpërnguljeve nga banesat për shkak pronësie.

 

GSHDNJ i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake të respektojnë komunitetin Rom te rruges se Kavajës, duke kryer detyrën e tyre të shenjtë në shërbim dhe në mbrojtje të qytetarëve.

 

GSHDNJ kërkon nga Zyra e Komisioneres Kundër Diskriminimit të jetë aktive dhe të marrë masa të menjëhershme sipas ligjit të antidiskriminimit mbi këtë ngjarje, duke e gjykuar si një rast të pastër diskriminimi , shkaktuar nga persona të sektorit privat me pasojë diskriminimin racor ndaj komunitetit Rom.

 

GSHDNj iu bën thirrje organizatave joqeveritare, medias dhe opinionit publik që të reagojnë ndaj këtij rasti të rëndë që cënon rëndë të drejtat themelore të individit dhe bëhet precedent i rrezikshëm në dëm të shtresave të marxhinalizuara.

 

GSHDNJ bën thirrje për solidaritet të shoqërisë civile, komuniteteve fetare, intelektualëve, bizneseve  dhe qytetarëve shqiptarë të qëndrojnë në mbështetje të komunitetit të gjërë Rom dhe organizatave të këtij komuniteti për të reaguar ndaj institucioneve të shurdhëta të shtetit shqiptar.

 

Çështja e Romëve nuk është thjesht problem i njërës qeveri, apo tjetrës, por është e të gjithë politikanëve shqiptarë, I përket gjithë shoqërisë shqiptare, prandaj politikanët, deputetët duhet të reagojnë sa më parë për të rregulluar situatën sipas parimeve e ligjeve të të drejtave të njeriut dhe humanizmit.

 

Në kushtet kur Shqipëria aspiron të bëhet një vend anëtar i Komunitetit Europian, raste të tilla diskriminuese ndaj minoriteteve e dëmtojnë rëndë imazhin e shtetit të së drejtës dhe mbizotërimit të ligjit dhe rrezikojnë anëtarësimin e vendit në Europën demokratike. (Makedonium)