Karkaleci pushton tokat e Pustecit, banorët: Dëme të mëdha në bujqësi

Banorët e disa fshatrave në komunën Pustec janë duke braktisur kultivimin e tokave të tyre, pasi për të tretin vit radhazi ka vërshuar karkaleci. Insekti vijon të përhapet në të mbjellat e zonës duke rrafshuar gjithçka e duke i lënë me qindra familje në mëshirë të fatit.

Gorica e madhe, një prej fshatrave në komunën Pustec, edhe këtë vit është “sulmuar” nga karkaleci, ndërkohë që banorët e zonës janë detyruar të braktisin kultivimin e disa kulturave për të shmangur dëmtimin nga insekti. Pasi nuk kanë mundur të marrin asnjë prej prodhimeve përgjatë dy viteve të kaluara, duket se insekti u ka dhënë atyre një “mësim” duke i bërë që të kultivojnë vetëm grurë. Ata pohojnë se pas dëmtimeve që kanë pësuar vitet e kaluara, nuk janë përpjekur të mbjellin asgjë tjetër, edhe pse do ta kenë të vështirë për të mbijetuar, sepse nuk mund të kenë asnjë ushqim përgjatë gjithë vitit. Banorët e këtij fshati pohojnë se kjo e ka dëmtuar së tepërmi ekonominë e tyre familjare, ndërsa ndihen të lënë në harresë, një harresë që sipas tyre nuk dihet se sa do të zgjasë pasi askush nuk kujtohet të vërë dorë. Ndonëse prej 3 vitesh karkaleci shkakton dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore të zonës, ende nuk është gjetur një zgjidhje për largimin e tij. “Karkaleci ka 3 vjet që na shfarosi gjithçka. Kemi 3 vjet që nga tokat nuk po marrim asgjë, që kur hyri karkaleci e ka bërë rrafsh çdo gjë, na hoqi bukën e gojës. Tokën e mbolla vetëm me grurë, se vetëm atë nuk e ha karkaleci. Kjo nuk është zgjidhje, ne me atë që marrim nga toka jetojmë, mbajmë edhe bagëtitë. Nuk mund të kalohet viti vetëm me grurin që do të marrim. Kemi nevojë për fasule, patate, misër, perime. Po jetojmë në skamje dhe të braktisur”, thotë Zoica Popovska për gazetën Makedonium. “Në pjesën maqedonase ra, por e shfarosën me ilaçe, kurse këtu s’kujtohet njeri. Na thonë t’i blejmë vetë ilaçet, po ne nuk kemi mundësi”. (Makedonium)